Arbëri

Mungesa e insulinës shqetëson diabetikët në Pejë

Descriptive Text

“Nuk ka insulinë”. Kjo ka qenë përgjigja që farmacistja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë vazhdimisht po ua jep pacientëve dhe familjarëve të tyre që paraqiten aty për të kërkuar insulinë nga lista esenciale. Pos kësaj, përgjigjes i shtohej edhe theksi se “s’dihet se kur do të ketë sërish”.

Në këtë qendër ishte vetëm një lloj i insulinës, “Novomix”, por që kjo refuzohej pasi pacientët kërkonin dy lloje të tjera “Novorapid” dhe “Levemir”.

“Kam ardhur ta marr insulinën për djalin, por prapë nuk paska ardhur. Ka dy muaj që nuk ka furnizim me insulinën që i duhet djalit tim”, ka deklaruar prindi M.A. i shqetësuar pse ende nuk ka furnizim me insulinë, të cilën, siç është shprehur ai, po i duhet ta blejë në barnatoret private.

Njëjtë ankoheshin edhe pacientët tjerë që vinin e shkonin pa marrë insulinën nga lista esenciale, e cila duhet të sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ky është muaji i dytë që ka vonesë me furnizim me insulinës.

“Ne e kemi planin që e dërgon barnatorja e QKMF-së. Llojet kryesore të insulinës, ‘Novorapid’ e ‘Levemir’, që merret më së shumti, nuk vijnë. E sjellin vetëm insulinën ‘Novomix’, por këtë nuk e merr kush. Shkruaju sa të duash atyre në qendër, se kush dert s’po të bën”, ka thënë Loci.

Ai ka pohuar se ka më tepër së një vit që ka probleme me furnizim të rregullt me insulinë.

“Një muaj e sjellin e tre muaj tjerë jo. E pastaj po u shkakton probleme të madha pacientëve. Kur po krijohet mungesa e insulinës, po krijohet edhe presioni nga pacientët, të cilët nga frika që nuk do të ketë muajin tjetër, kërkojnë të marrin më shumë sasi të insulinës sesa që u takon dhe pastaj po krijohen edhe tensione nga pacientët me diabet”, ka shtuar ai.

Kryetari i shoqatës së diabetikëve në Pejë, Idriz Ethemi, ka shpjeguar se gjendja është e rëndë në mungesë të insulinës, më të cilën po përballen, sipas tij të gjithë diabetikët në vend, jo vetëm në Pejë.

“Në Pejë janë 1 mijë e 600 pacientë, e në nivel vendi janë deri në 26 mijë pacientë që marrin insulinë në barnatoret e QKMF-ve, të cilët janë të varur prej insulinës që siguron Qeveria në listën esenciale. Në barnatoret e QKMF-ve aktualisht ka vetëm insulinë ‘Novomix’, por nuk ka insulinë ‘Novorapid’ dhe ‘Levemir’”, ka deklaruar Ethemi.

Ai ka treguar se në Pejë janë aktualisht edhe 48 fëmijë që marrin insulinë, të cilëve ua siguron Shoqata e Diabetëve të Pejës me ndihmën financiare të Komunës, e cila siç është deklaruar drejtori i Financave Jeton Abazaj, për sigurimin e insulinës për fëmijë, gjatë vitit ndan 8 mijë e 500 euro. Por për pacientët e rritur, mungesa e insulinës është problem i madh edhe për shkak se ata janë të detyruar të furnizohen në barnatore private dhe ato janë të kushtueshme.

“Gjendja ekonomike e pacientëve është shqetësuese dhe të gjithë nuk mund ta blejnë. Një numër i vogël i pacientëve që kanë kushte të mira ekonomike e blejnë vet insulinën, por jo shumica. Varësisht nga lloji i insulinës, çmimi është 5-6 euro për një pendë. E varësisht sa njësi i merr pacienti gjatë muajit, i shpenzojnë së paku deri në 100 euro në muaj, si të rriturit ashtu edhe fëmijët. Dhe në këtë kohë të pandemisë është shumë vështirë të përballohet mungesa e insulinës nga lista esenciale”, ka thënë Ethemi të enjten për KOHËN.

Për mungesën e insulinës, ai ka theksuar se ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por ka thënë se nuk i është kthyer përgjigja.

KOHA ka kontaktuar përgjegjësin për furnizim dhe shpërndarjen e Insulinës në nivel qendror, Sabit Kozmaqi, por ai nuk ka treguar pse nuk ka insulinë, por ka thënë të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë, e cila furnizon institucionet e kujdesit parësor shëndetësor në komuna, me insulina analoge dhe ato humane. KOHA ju ka drejtuar kësaj ministrie nga e cila ka kërkuar sqarime për mungesë të insulinës.

“Furnizimi është vështirësuar për furnizimin me insulina analoge, përderisa insulina humane ka ende në stokun farmaceutik, edhe pse të njëjtat i përdorin më pak pacientët insulinë vartës në Kosovë. Prej insulinave analoge ka pasur mungesa të tre llojeve, prej të cilave për njërin lloj është nënshkruar kontrata dhe pritet të fillojë furnizimi shpejt, derisa dy lloje të tjera janë në procedura të prokurimit”, ka treguar për KOHËN arsyen e mungesës së insulinës, Divizioni i Komunikimit me Publikun i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas kësaj ministrie periudha prej kur ka pasur probleme ne furnizim me insulinë, nuk korrespondon me periudhën e përmendur nga drejtori i Shëndetësisë në Pejë, sipas të cilit ka më tepër së një vit që ka probleme në furnizim të rregullt me insulinë.

“Kjo periudhë është më e shkurtër, gjithsesi”, kanë thënë nga kjo ministri, pa saktësuar se sa qenka ajo periudhë prej që ka probleme në furnizim të rregullt me insulinë.