Arbëri

Banorët thonë se nuk u kontaktuan gjatë inspektimeve për dëmet nga gurthyesi në Kçiq të Madh

Në prag të dorëzimit të raportit rreth dëmeve nga gurthyesi në Kçiq të Madh, deklarata të kundërta njëra me tjetrën kanë dalë nga anëtarë të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe përfaqësuesit e fshatit.

Këta të fundit kanë thënë se nuk janë kontaktuar nga KPMM-ja rreth inspektimit të punës së gurthyesit, ani që një gjë e tillë parashihej me vendim.

E ndonëse nuk ka përmendur emër konkret, kryesuesi i komisionit gjegjës, Jahir Gashi, ka thënë se një banor i fshatit është përfshirë në inspektim.

“Ne atë ditë e kemi thirrur kompaninë për t’i kontaktuar përfaqësuesin e fshatit, nuk e dinim ne se kush është ai. Ata e kanë telefonuar. Ata e kanë telefonuar, por nuk ka ardhur përfaqësuesi, por ka ardhur një përfaqësues i një shtëpie. Është fshatari i parë i shtëpisë më të afërt”, ka deklaruar ai.

Pretendimet e tij i ka hedhur poshtë kryetari i fshatit, Fatmir Salihu. Ka thënë se gënjeshtra është fjalë e butë për ta përshkruar deklaratën e Gashit.

Ankesat e banorëve rreth gurthyesit në Kçiq të Madh janë të vazhdueshme.

“Kemi edhe bletari këtu në fshat, edhe atyre bletaria veçse i është dëmtuar diku mbi 40 koshere i kanë dalë fare vitin e kaluar”, është shprehur banori Halil Berisha.

“Për shkak të detonimeve të shumta, fshatarët këtu kanë nisur t’i lënë shtëpitë e tyre. Hiç më larg se para pesë muajsh djali i xhaxhait tim ka lënë shtëpinë, të cilën e ka fokusuar më herët. Pluhurosja e natyrës që e bën ky gurthyes...Unë si fermer jam i detyruar që delet e mia afro 400 copë t'i mbaj të mbyllura verë e dimër në stallë”, ka vazhduar Besar Ibrahimi.

Nga kompania e gurthyesit, “Lirigzoni S SHPK” kanë thënë ndërkaq se i kanë të gjitha lejet e nevojshme. Sipas pronarit të kësaj kompanie, Sabri Haxhiaj, pretendimet e banorëve nuk qëndrojnë.

Komuna e Mitrovicës dhe KPMM-ja pritet që t’ia dorëzojnë një raport Ministrisë së Mjedisit gjatë javës së ardhshme, rreth dëmeve nga ky gurthyes.

KOHA ka tentuar ta kontaktojë gjatë ditës së sotme edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, por ai nuk ka qenë i qasshëm. Si asamblistët, ashtu edhe kryetari, patën shprehur mbështetje për këshillin e fshatit në mbledhjen e 26 marsit.