Kosovë

Dy vendimet e kthyera nga MPL-ja procedohen për rishqyrtim në Kuvendin e Prizrenit

Dy vendimet e kthyera nga MPL-ja procedohen për rishqyrtim në Kuvendin e Prizrenit
 

Komiteti për Politikë dhe Financa, të martën, ka proceduar për në Kuvendin e Komunës së Prizrenit rishqyrtimin e dy vendimeve që janë kthyer prapa nga Ministria e Pushtetit Lokal. Vlerësimi i ministrisë për këto akte komunale të miratuara në seancën e shkuar të KK-së ishte se ato bien në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Për këtë arsye, në KPF është vendosur që propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të datës 25.02.2021 për formimin e komisionit vlerësues për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër si dhe propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të po asaj date për shpalljen e ankandit publik për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër të jenë në agjendën e seancës së radhës së KK-së, që pritet të mbahet të enjten.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të KPF-së, krahas rishqyrtimit të dy vendimeve të cekura, anëtarët e këtij komiteti kanë shqyrtuar edhe 12 pika të rendit të ditës dhe kanë rekomanduar që 11 prej tyre të shqyrtohen në seancën e KK-së më datë 8 prill 2021.