Arbëri

Berisha: Gjendja e menaxhueshme në Malishevë, masat e reja të panevojshme

Nënkryetar i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, thotë se janë kundër masave të reja të propozuara nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

Ai kërkon që të ketë respektim të plotë të masave aktuale, pasi vlerëson se një mbyllje totale do t’i kolapsonte bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.

Hajdin Berisha për KosovaPress thotë se qëndrimi i tij është të respektohen masat të cilat janë në fuqi, pasi pohon se në komunën e Malishevës gjendja është e menaxhueshme dhe se nuk ka nevojë për mbyllje.

"Unë kam shprehur qëndrimin tim që jam që të respektohen masat të cilat janë në fuqi më strikt secili faktor, por te mbyllja tek masat ekstreme unë kam shpreh skepticizmin tim. Unë kam shpreh qëndrimin tim se në Komunë të Malishevës është gjendja plotësisht e menaxhueshme me numrat të cilët i kem, po menaxhojmë po punojmë për aq sa mundemi se kemi ndalë punën e aktivitetin prej fillimit të pandemisë", tha ai.

Në pyetjen se a do të arrinte Komuna e Malishevës të mbështeste bizneset në rast mbylljeje, Berisha thotë se pandemia një gjë të tillë e kanë të pamundur.

"Jo komuna e ka të pamundshme t’i mbështetë edhe për mendimin tim bizneset vazhdimisht veç janë duke u dëmtua ende më shumë. Pandemia i ka dëmtuar prej fillimit edhe po vazhdon me i dëmtua ende edhe po ndiejmë dhimbje sigurisht dhe solidaritet me ta. Po nga ana financiare Komuna e ka problem me i mbështet", tha ai./KSP