Arbëri

Protestë në Arllat, pas rrënimit të djeshëm nga Komuna e Drenasit

Banorë të lagjes Bujupi të Arllatit kanë protestuar më mëngjes të mërkurën tek një pronë komunale, të cilën, nëpërmjet një procesi të dyshimtë, Komuna e Drenasit ia ka dhënë në shfrytëzim kompanisë “IP Kos”, për ngritjen e një pompe derivatesh. Me këtë protestë, por edhe nëpërmjet një peticioni paraprakisht, banorët kanë shprehur zotimin se nuk do të lejojnë projekte të këtilla, meqë prona ndodhet në hapësirë banimi.

Një ditë më parë, Komuna që drejtohet nga Ramiz Lladrovci, lejoi dhe asistoi rrënimin e objekteve që ndodheshin në të njëjtën parcelë, e ku prej 10 vitesh ka zhvilluar aktivitetin biznesi i Filloreta Bujupit. Parcela ishte marrë me qira nga Komuna, e për objektet e ngritura kishte leje ndërtimi.

Nëpërmjet rrënimit, hapësira përgatitej për kompaninë “IP Kos”, së cilës t i është dhënë në shfrytëzim për 99 vjet.

Kur në fund të vitit të shkuar Komuna shpalli thirrje për ta dhënë në shfrytëzim këtë parcelë, Bujupi ofertoi, me një projekt për pompë karburanti. Autoritetet i thanë se projekte të tilla nuk lejohen afër vendbanimeve. Prandaj, u detyrua ta ndërrojë.

Por, për këtë pronë, fitues u shpall kompania “IP Kos”, e cila kishte ofertuar pikërisht me projekt për pompë karburantesh.

Për këtë mashtrim Komuna e Drenasit atëkohë e gjuajti fajin tek një zyrtar.

“Për zyrtarin që ka dhënë informacione të tilla, është shqiptuar masë disiplinore”, thuhej në përgjigjen e Komunës.

Pas kësaj, Filloreta Bujupi, në emër të biznesit të saj, ka iniciuar dy procese gjyqësore: një kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër tre personave; si dhe një padi për konflikt administrativ, me propozimin për caktimin e masës së sigurisë.

E, Shumzim Bujupi, administrator i fshatit Arllat, i tha KOHËS se janë të vendosur për të mos lejuar pompë karburantesh në hapësirën ku ndodhen rrënimet një ditë më parë.

“Ne e kundërshtojmë ndërtimin e pompës së benzinës këtu, sepse rrezikohen drejtpërdrejt qytetarët. Nuk ka kurrkund në botë ligj që e lejon të ndërtohet afër vendbanimeve, pompë të benzinës”, thotë ai. “Paraprakisht peticion i kemi dërguar Komunës – kryetarit të Komunës, Drejtorisë së Urbanizmit, të gjitha institucioneve – nuk është marrë asnjë hap. Tash kanë punuar krye më vete dhe nuk na ka mbetur rrugë tjetër pos protestës dhe hapave tjerë”.

Në fund të vitit, Komuna e Drenasit e kishte shpërblyer kompaninë “IP-Kos” me dy prej 5 pronave kryesore për të cilat kishte bërë shpallje publike. E bëri këtë, ani se në dosjet e aplikimit të kompanisë nuk ndodheshin garancionet bankar për projektet, siç kërkohej në shpallje.