Arbëri

Qendra për Punë Sociale në Podujevë qe dy vjet pa drejtor

Qendra për Punë Sociale në Komunën e Podujevës vazhdon të menaxhohet pa drejtor prej vitit 2019, kur ishte pensionuar ish-drejtori Osman Jashari. Ky institucion nuk ka as ushtrues detyre. Zyrtarët komunalë kanë thënë se aktualisht QPS-ja udhëhiqet nga një person i autorizuar.

Zëdhënësi Fatri Zhitia, thotë se në konkursin e brendshëm që e kanë shpallë asnjë kandidat nuk i kishte plotësuar kushtet.

“Qendra për Punë Sociale ka mbetur pa drejtor nga data 03.02.2019. Është shpallë konkurs i brendshëm, mirëpo asnjë nga kandidatët aplikues nuk i ka plotësuar kushtet për t’u bërë drejtor. Qendra për Punë Sociale aktualisht udhëhiqet nga personi i autorizuar i cili është Fadil Berisha për t’i kryer punët dhe detyrat e drejtorit të QPS-së”, ka theksuar Zhitia, i cili shton se do të shpallin sërish konkurs për drejtor të QPS-së.

“Po kemi shpallur konkurs, mirëpo nuk ka pasur kandidatë që i plotësojnë kushtet për drejtor. Është shpallur konkurs i brendshëm (lëvizje brenda kategorisë) për drejtor të Qendrës për Punë Sociale sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, mirëpo kandidatët aplikues nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore. Tash me aprovimin nga Ministria e Punëve të Brendshme pritet të shpallet përsëri konkursi për drejtor të QPS”, ka thënë ai.

KOHA ka raportuar edhe vitin e kaluar për këtë institucion që ka mbetur pa drejtor dhe po ashtu për një vit nuk kishte pasur as ushtrues detyre të drejtorit. Një i tillë është emëruar tek në muajin mars të vitit 2020. Kjo qasje e ish-ekzekutivit komunal të Podujevës ndaj këtij institucioni ishte kritikuar nga partitë opozitare të asaj kohe, Vetëvendosje dhe PDK.

Ish-shefi i Grupit të këshillarëve të Vetëvendosjes në Podujevë, parti kjo që atëkohë ishte në opozitë, Vendenis Lahu, ka thënë se moszgjedhja e drejtorit të QPS-së e cenon funksionin e kësaj qendre.

“Kjo mendoj se është një papërgjegjësi e organeve lokale e cila e cenon funksionin e kësaj qendre të nevojshme për zhvillimin e jetës në komunën tonë. Kjo papërgjegjësi bëhet edhe më e madhe kur kihet parasysh që rregullativat ligjore e mundësojnë fillimin e procedurave për zgjedhjen e drejtorit të ri gjashtë muaj para se drejtori të ketë shkuar në pension”, kishte thënë Lahu.

Edhe këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, e konsideronte të papranueshme mbajtjen e Qendrës për Punë Sociale pa drejtor dhe se sipas tij, Komuna e Podujevës qëllimisht i mbante në presion ushtruesit e detyrës për t’u bërë presion në kohë zgjedhjesh.

Pos Qendrës për Punë Sociale për vite të tëra edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është menaxhuar nga ushtrues detyre të drejtorit. Ndërkohë, pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes, është shpallë konkursi për drejtor të QKMF-së dhe në fillim të këtij muaji në krye të këtij institucioni është zgjedhur Ymer Llugaliu.