Arbëri

Podujeva s’ka buxhet për t’i mbështetur qytetarët e infektuar me koronavirus

Nuk ka mjete buxhetore të mjaftueshme për mbështetjen financiare të qytetarëve të Podujevës të prekur me Covid-19.

Kështu ka thënë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka theksuar se mundësia e vetme për një përkrahje të tillë është vetëm me rishikim të buxhetit të komunës, raporton KosovaPress.

Disa komuna në vend, përfshirë edhe Prishtinën kanë ndarë mjete buxhetore për qytetarët e tyre, të cilët janë infektuar nga Covid-19.

Ani pse ka qenë premtim i tij në fushatën zgjedhore, Bulliqi gjatë prezantimit të qeverisjes së tij 100 ditëshe, thotë se nuk kanë mundësi të dalin jashtë kornizave buxhetore që janë të planifikuar nga qeverisja e kaluar, dhe siç thotë ai kërkohen rreth gjysmë milioni euro.

“Komuna jonë ka mbi 5 mijë, për mos me thënë rreth 6 mijë të infektuar dhe që të jetë e mundur të realizohet diçka e tillë domosdoshmërisht duhet ta heqim një projekt ndoshta me qindra mijëra për mos me thënë mbi gjysmë milionë euro që të mund të kanalizohet kjo çështje. Prandaj, ne nuk kemi të drejtë pa rishikim të buxhetit të bëjmë ri-alokime të caktuara të mjeteve buxhetore. Ndryshe, ne e dimë shumë mirë që kjo kategori është në gjendje të rëndë, kjo kategori ka pasur nevojë për ndihmë, sepse e dimë sa është kostoja për një pacient i cili duhet të shërohet nga prekja prej Covid-19. Por, nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të na krijohet mundësia që eventualisht t’iu jepet një ndihmë edhe kësaj kategorie”, ka thënë Bulliqi.

Epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrije Rama ka folur lidhur me gjendjen me Covid-19 në këtë komunë, dhe ka theksuar se në dy javët e fundit trendi i të infektuarave është në rritje dhe gjendja e tyre është më e rëndë.

Doktoresha Rama thotë se numri total i të prekurve me Covid-19, është 3 mijë e 375, ndërsa aktiv janë 245. Betejën me Covid-19, sipas saj, e kanë humbur me këtë sëmundje deri tash 47.

“3 mijë e 375 është numri total, të shëruar janë 3 mijë e 83, të vdekur 47 dhe aktiv janë 245. Gjendja e këtyre që janë aktiv në dy javët fundit janë me simptoma më të rënda, prej tyre kemi edhe në spital, por shumica e tyre janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre me një gjendje mesatare të sëmundjes… Në dy javët e fundit (numri i të infektuarve) është në rritje”, ka theksuar Rama.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 79.089 raste nga 366.574 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.731 raste të vdekjes. Brenda 24 orëve të fundit kanë rezultuar 709 raste pozitive dhe janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.