Arbëri

VV-ja e quan keqmenaxhim bartjen e 3 milionë eurove të hyra nga Fushë-Kosova

Asnjë cent duket se nuk e ka shpenzuar komuna e Fushë-Kosovës nga të hyrat vetjake të arkëtuara gjatë vitit 2020. Janë më shumë se 3 milionë euro që Kuvendi Komunal i ka bartur për këtë vit, e që është shumë më e madhe sesa që janë inkasuar.

Sipas zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kjo shumë është 26 për qind e buxhetit të kësaj komune. Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, thotë se ky është keqmenaxhim dhe keqplanifikim i buxhetit nga qeveria lokale.

“Bartja e të hyrave vetanake të vitit 2020 në vitin 2021, ne mendojmë që një praktikë e tillë është jo e mirë dhe është tregues i keqplanifikimit dhe keqmenaxhimit të parasë publike. Një fenomen i tillë i bartjes së të hyrave vetanake, po përsëritet nga viti në vit dhe siç po duket është kthyer në praktikë”, ka theksuar Durim Hajra.

Sipas tij, për bartjen edhe Ministria e Financave ua ka tërhequr vërejtjen disa herë nivelit lokal dhe se këtë e ka cilësuar si keqmenaxhim të parasë publike nga ato komuna që bartin të hyrat.

“Bartje këtë vit është 3,023,613.65€, e që i bie se komplet të hyrave vetanake të vitit 2020 plus tejkalimi i të hyrave vetanake është bartur në vitin 2021, pra 26% e buxhetit nuk është shpenzuar fare. Kjo formë e menaxhimit me buxhetin e vërteton atë që ne e themi gjithmonë, se buxhetimi po bëhet keq, pasi që nuk merren parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve”.

Grupi i Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! është kundër që një shumë kaq e madhe e buxhetit të bartet nga viti në vit”, ka thënë ai.

KOHA i ka pyetur zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës, por të njëjtit gjatë ditës së mërkurë nuk kanë kthyer përgjigje.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës janë marrë dy vendime: njëri për rritjen e të hyrave në vitin 2020 dhe tjetri për bartjen e të hyrave në vitin 2021.

“Planifikimi i buxhetit për vitin 2020 nga të hyrat vetanake është 2,809,510.00 euro, kurse realizimi përfundimtar është 2,967,2020.45 euro, ku kemi tejkalim të planit për të hyrat vetanake në shumën 157,692.45 euro. Propozoj që të merret vendimi për rritjen e buxhetit nga të hyrat vetanake të vitit 2020 në shumën 157,692.45 euro”, thuhet në propozimin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa.

Sipas të njëjtit, në kategorinë ekonomike Paga dhe shtesa mjetet prej 10,000.00 euro të shkojnë në programin “Shërbimet e zjarrfikësve”; në kategorinë ekonomike Mallra dhe shërbime mjetet prej 147,692.45 euro të shpërndahen në programet: administrata e shëndetësisë mjetet prej 100,000.00 euro dhe administrata e arsimit mjetet prej 47,692.45 euro.

“Në bazë të planifikimit në kategorinë ekonomike paga dhe shtesa tek shërbimet e zjarrfikësve ekziston një memorandum për rritje të koeficientit, andaj jemi të obliguar që t’i ndajmë këto mjete për paga të zjarrfikësve”, thuhet në arsyetimin e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa.

“Sa i përket mjeteve të ndara në kategorinë ekonomike mallra dhe shërbime në Administratën e shëndetësisë, në mbledhjen e kaluar të Kuvendit të Komunës është marrë vendim për harmonizim të përafërt të pagave të mjekëve, infermierëve dhe stafin mbështetës në shumën prej 60,000.00 euro vjetor, kurse shuma prej 40,000.00 euro do të përdoren për nevojat konform situatës së krijuar me COVID-19”.

Ndërsa në Administratën e Arsimit, mjetet prej 47,692.45 euro sipas Drejtorisë, janë të parapara për zëvendësime në stafin arsimor si dhe nevojave tjera të domosdoshme për mbarëvajtje të procesit mësimor.

Në propozimin tjetër të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, thuhet se e njëjta i kërkon Komitetit për Politikë dhe Financa që t’i procedojë Kuvendit Komunal Fushë-Kosovë bartjen e të hyrave vetanake nga fondi burimor (21 dhe 22) të vitit 2020 në vitin 2021.

“Totali për bartje (21) 2,077,613.77 euro; Totali për bartje (22) 945,999.88 euro. Gjithsej 3,023,613.65 euro” thuhet në propozim.

Të dy këto propozim-vendime janë miratuar me shumicë votash në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.