Kosovë

Propozim-vendimi për huanë nga BERZH-i në vlerë prej 5 milionë eurove procedohet për në Kuvendin e Prizrenit

Propozim-vendimi për huanë nga BERZH-i në vlerë prej 5 milionë eurove procedohet për në Kuvendin e Prizrenit
 

Prizren, 24 shkurt – Komiteti për Politikë e Financa ka proceduar në Kuvendin e Komunës së Prizrenit propozim-vendimin për marrjen e huasë në vlerë prej 5 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo hua sipas zyrtarëve të pushtetit lokal parashihet që të përdoret për financimin e masave të efiçiencës së energjisë, masave strukturore dhe komoditetit në ndërtesa në pronësi të komunës, të tilla si kopshte e shkolla si dhe ndërtesa të qendrave të kujdesit shëndetësor parësor.

Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Sulltan Badallaj ka theksuar se në mbledhjen e fundit të KPF-së është diskutuar për të gjitha pikat e propozuara të rendit të ditës dhe pothuajse të gjitha unanimisht janë proceduar për seancën e radhës të organit më të lartë vendimmarrës komunal, përfshirë këtu edhe propozim-vendimin për marrjen e huasë nga BERZH-i.