Arbëri

Këshilltari i AAK-së i bashkohet Vetëvendosjes në Podujevë

Këshilltari komunal nga radhët e AAK-së në Kuvendin e Podujevës, Patriot Rudari bashkë me dy zyrtarë të kësaj partie, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Në një njoftim të LVV-së, dy anëtarët e Kryesisë së AAK-së që i janë bashkuar janë Skender Asllani dhe Hamdi Hasani.

“Ata u pritën nga kryetari Qendrës, Bajram Ajeti, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Administratës, Bahri Selimi. Lëvizja është shpresa e qytetarëve, dëshmia për mirëqeverisje do të jetë për të dy nivelet si në qendror ashtu edhe nivelin lokal, andaj anembanë po bashkohen profile të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre për ndryshimin e madh që i duhet vendit. Lëvizja është shtëpia e madhe e qytetarëve të ndershëm dhe punëtorë”, thuhet në njoftimin e LVV-së, Qendra në Podujevë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur t’i fitojë nëntë mandate për këshilltarë komunalë në zgjedhjet e vitit 2017. Por, më vonë kishte mbetur me 8, pasi Blerim Maçastena kishte kaluar në PSD pas largimit nga LVV-së të disa zyrtarëve. Por, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës, ku fituese doli Vetëvendosje dhe pas zgjedhjes së ish-këshilltarit të LDK-së, Avni Fetahu drejtor për Arsim, këshilltari i LDK-së, Bahri Blakçori që kishte hyrë në vend të Fetahut ka aderuar në LVV, duke e rritur në 9 numrin e këshilltarëve komunalë të kësaj partie. Ndërsa, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, Grupit të LVV-së i është

bashkuar edhe këshilltari i PD-së, Benjamin Ejupi. E pas aderimit të Patriot Rudarit në Vetëvendosje, kjo parti ka në grupin e saj 11 këshilltarë komunalë. Po aq i ka edhe LDK-ja që ishte subjekti më i madh i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017. Por, kjo parti kishte marrë gjithnjë edhe votat e këshilltarit të OBKD-së, Avni Islami, me të cilin kishin koalicion dhe dy këshilltareve që ishin përjashtuar nga PDK e AAK (Donjeta Jakupi e Tringa Sfishta).