Arbëri

Jep dorëheqje kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri

Descriptive Text

Hysni Gërguri ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) në Vushtrri, pas debaklit që kjo parti pësoi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se dorëhiqet edhe nga pozita e asamblistit në Kuvendin Komunal në Vushtrri.

“Për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhje nacionale në Komunën tonë (edhe për kundër faktit që më tepër se 3 vjet e kemi pushtetin lokal),e ndjeva si obligim moral të jap dorëheqje nga Kryetari i Degës së LDK-së në Vushtrri (të cilën e paraqita para Kryesisë së Degës). Unë e kam marrë udhëheqjen e Degës në gjendje shumë të rëndë në vitin 2010, me shumë grupacione, pas thyerjes së Degës në vitin 2004 dhe humbjes “në tavolinë “, te pushtetit komunal edhe pse LDK e ka pasur të fituar deri në vitin 2007, si dhe pas thyerjes së LDK-së në nivelin qendror në vitin 2006”, ka thënë ai.

Gërguri ka thënë se bashkërisht me strukturat e mirëfillta kanë arritur që ta stabilizojnë Degën, duke ju dhënë hapësirë të gjithëve, në veçanti të rinjve dhe femrës dhe si rezultat i kësaj ai thotë se i kanë fituar zgjedhjet komunale në vitin 2017.

“Pa modesti vlen të theksoj kontributin financiar për Degën të cilën gjë e dinë qytetarët e Vushtrrisë dhe niveli qendror i LDK- së, kontributin financiar për sportin e Vushtrrisë, kontributin 40-vjeçar si mjek dhe si specialist-radiolog, kontributin në sindikatën e pavarur në Shtëpinë e shëndetit në Vushtrri nga viti 1990, pastaj si drejtor komunal për Shëndetësi në pushtetin e atëhershëm paralel, si dhe kontributin tim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999. Jap dorëheqje edhe nga asamblisti i Kuvendit Komunal në Vushtrri, për ta dëshmuar edhe njëherë, që në funksione të LDK-së, nuk kam qëndruar për interesa të ngushta personale, sepse interesi për LDK-në dhe Kosovën, gjithmonë për mua ka qenë dhe do të mbetet mbi interesin personal”, ka thënë ai.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.07 për qind të votave sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, duke e renditur atë në vendin e tretë pas Vetëvendosjes, fituese e zgjedhjeve dhe PDK-së, duke bërë kështu që kryetari i kësaj partie Isa Mustafa të jep dorëheqje.