Arbëri

Komuna e Pejës s’i përfshin banorët e Rugovës në takimet publike për hartim të hartës zonale

Descriptive Text

Në kuadër të procesit të hartimit të hartës zonale në Komunën e Pejës, takime publike me banorët e zonave urbane e rurale të kësaj komune janë planifikuar për muajin shkurt dhe mars.

Por, në agjendën e këtyre takimeve për draft-dokumentin e hartës zonale, mungojnë takimet me banorët e 14 fshatrave të Rugovës, që përbën gjysmën e territorit të Komunës së Pejës.

Një gjë e tillë ka shkaktuar reagimin e këtyre banorëve, të cilët qe tre vjet paguajnë tatim për shtëpitë dhe pyjet private në atë zonë, e cila mbetet jashtë hartës zonale.

Për këtë gjë ka reaguar edhe shoqëria civile në Pejë, duke i fajësuar institucionet lokale dhe qendrore.

E në Drejtorinë e Urbanizmit tregojnë se mospërfshirja e trevës së Rugovës, si në Planin Zhvillimor Komunal 2020-2028, ashtu edhe në Hartën Zonale që do të jetë për katër vjetët e ardhshëm, është mungesë e planit hapësinor për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, brenda të cilit gjendet kjo trevë.

Plani hapësinor është dokument i hartuar në vitin 2014 nga Instituti për Planifikim Hapësinor, më të cilin kompletohet Ligjin për këtë park kombëtar.

Por, që nga ajo kohë, ky dokument me rëndësi jetike për fshatrat rugovase nuk është miratuar prej asnjërës qeveri dhe rrjedhimisht nuk është përcjellë për miratim në Kuvendin e Kosovës.