Kosovë

Shembja e dheut rrezikon edhe prishjen e një rruge rajonale në Podujevë

Shembja e dheut rrezikon edhe prishjen e një rruge rajonale në Podujevë
Rruga rajonale Podujevë-Reçicë, sipas banorëve të fshatit të afërt Dvorishtë, paraqet rrezik sidomos për ngasësit e automjeteve, të cilët mund të mos e vërejnë rrëshqitjen e dheut poshtë rrugës
 

Rruga rajonale Podujevë-Reçicë, në fshatin Dvorishtë, rrezikon të shembet, pasi dheu poshtë rrugës ka rrëshqitur deri në cepin e asfaltit. Banorët thonë se është bërë shumë e rrezikshme të kalosh andej, sidomos për ngasësit e automjeteve, të cilët mund të mos e vërejnë rrëshqitjen e dheut poshtë asfaltit. Në Komunën e Podujevës kanë thënë se kjo rrugë është në përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës. Ndërsa zyrtarët e kësaj të fundit thonë se nga e hëna do të fillojnë sanimin e kësaj rruge

Dvorishtë, Podujevë, 19 shkurt - E rrezikshme është bërë të kalosh në rrugën rajonale Podujevë-Reçicë, në fshatin Dvorishtë, aty ku kalon lumi i Mavriqit. Dheu ka rrëshqitur deri në cepin e asfaltit, duke rrezikuar kështu edhe shembjen e rrugës. Kjo rrugë, që është e frekuentuar edhe për shkak të Kullës së Demë Ahmetit në Reçicë, sipas banorëve, paraqet rrezik sidomos për ngasësit e automjeteve, të cilët mund të mos e vërejnë rrëshqitjen e dheut poshtë rrugës. Sahit Arifi, banor i këtij fshati, thotë se kjo rrugë që nga fillimi nuk është ndërtuar si duhet. Sipas tij, shembja e dheut poshtë rrugës ka filluar që para dy vjetëve.

“Qe dy vjet ka filluar të shembet gradualisht. Me kohë nuk është punua qysh duhet edhe lart po e sheh qysh çdo ditë shembet. Kjo është e rrezikshme, kah rrëzohet është edhe kja staza (anësoret e metalta v.j.). Është shumë e rrezikshme, po ndoshta ndërmerr dikush masa, e kqyr, e kontrollon këtë vend. S’e kanë punua me kohë qysh duhet, 2 centimetra nuk e kanë shtrua asfaltin, si petë laknori e kanë lanë”, ka thënë Sahit Arifi. “Është e rrezikshme është kjo rrugë. Mund të ndodhë diçka e të mbytet dikush. Paret janë shkua, s’ka përgjegjësi kurrkush. Veç valla marre për këta njerëz çka kanë ba në këtë vend. E kanë shkatërrua qe 20 vjet”.