Arbëri

Në 11 vjetët e fundit rreth 3300 pejanë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës

Descriptive Text

Pejë, 10 shkurt - Qytetarët e Pejës që jetojnë në shtetet e jashtme edhe vitin e kaluar kanë vazhduar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës. Gjatë vitit 2020, siç tregojnë në Ofiqarinë e Komunës së Pejës, janë paraqitur 97 kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës dhe për të mbajtur shtetësinë e vendit ku jetojnë.

Për dallim nga vitet e kaluara, që numri i kërkesave ka qenë gjithnjë në rritje, vitin e kaluar këto kërkesa kanë qenë në numër më pak se vitin paraprak. Por në Ofiqarinë e Pejës rënien e kërkesave e ndërlidhin me situatën e krijuar nga pandemia.

“Në krahasim me vitet e mëparshme, numri i kërkesave për lirim nga shtetësia ka qenë më i vogël, por gjithmonë duke pas parasysh mosardhjen e mërgatës për pushime nga diaspora shkaku i situatës me pandemi, e cila më të vërtetë ka qenë arsyeja, jo vetëm e këtij numri e të këtij shërbimi që kryhet, por edhe në përgjithësi pandemia ka ndikuar edhe në vëllimin e punëve që janë kryer në gjendjen civile, e që kanë qenë përafërsisht 50 për qind më pak sesa vitet e kaluara”, thotë shefi i Ofiqarisë në Pejë, Shefqet Thaqi.

Ai tregoi se kërkesat e mërgimtarët që kanë paraqitur kërkesë për lirim nga shtetësia kanë qenë kryesisht nga vendet në të cilat nuk u lejohet mbajtja e dy shtetësive.

“Kryesisht dominojnë kërkesat nga Gjermani, Austria, Norvegjia, por ka edhe nga Mali i Zi, Maqedonia... e të tjera”, tha Thaqi.

Gjatë viteve tjera paraprake numri i kërkesave për lirim nga shtetësia në këtë komunë ka qenë kryesisht mbi 300 sish. Gjatë vitit 2019 kanë aplikuar për lirim nga shtetësia në Ofiqarinë e Pejës 321 mërgimtarë nga kjo komunë. Në 11 vitet e fundit kanë hequr dorë prej shtetësisë së Republikës së Kosovës së paku 3 mijë e 300 shtetas nga komuna e Pejës. Në ofiqari tregojnë se ky numër nuk pasqyron numrin e vërtetë të qytetarëve nga kjo komunë që s’kanë më shtetësi të Kosovës, për faktin se mërgimtarët për t’u liruar nga shtetësia e Kosovës mund të aplikojnë edhe nëpër Ambasadat e Kosovës në vendet ku jetojnë, por ato të dhëna Ofiqaria e Pejës nuk e posedon.

Në nivel vendi, gjatë vitit 2020, bazuar në raportin e Divizionit të Shtetësisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga shtetësia e Kosovës janë liruar 3 mijë e 633 mërgimtarë. Kurse gjatë vitit 2019 mbi 5 mijë. Që nga viti 2009 e deri në fund të vitit 2020, mbi 45 mijë qytetarë të Kosovës janë liruar nga shtetësia e Kosovës. Ikja jashtë i mijërave qytetarë të Kosovës, vitet e fundit dhe numri i madh i lirimit nga shtetësia, sipas përfaqësuesit të shoqërisë civile në Pejë, Veton Mujaj, është shqetësues dhe tregues i politikës së dobët të shtetit për zhvillimin e vendit.

“Është një shifër që përmendet. Vetëm vitin e fundit janë rreth 150 mijë njerëz që e kanë lëshuar Kosovën. Dhe këta po dalin faktikisht për shkak të problemeve që i ka shoqëria e jonë në zhvillim. Mos mundësia e ofrimit të një lloj qëndrueshmërie të jetesës së njerëzve në Kosovë. Dhe kjo vjen si rezultat i politikës së dobët që është zhvilluar nga shteti”, thotë Mujaj.

E pasi po dalin jashtë dhe po u jepet mundësia për të pas edhe shtetësinë e vendit ku jetojnë, mërgimtarët tonë, siç thotë Mujaj, të parën që e bëjnë është kërkesa për heqjen shtetësisë së Kosovës. Ky veprim sipas tij, po bëhet edhe nga fakti se me pasaportën e Kosovës nuk mund lëvizin lirshëm si me pasaportën e shtetit ku jetojnë.

“Mos perspektiva e njerëzve për me jetua këtu, po i bënë këta me dal jashtë, e të njëjtën kohë kur po dalin jashtë këta po detyrohen me heqë përgjegjësi edhe prej shtetësisë së Kosovës. Në një formë, mërgimtarët po dënohen dy herë”, thotë Mujaj.