Arbëri

Podujeva kërkon që personat me probleme mendore të trajtohen në Institutin në Shtime

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka kërkuar nga drejtori i Qendrës rajonale të Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, që personat që kanë probleme mendore të dërgohen për trajtim në Institutin e Shtimes. Gjatë një vizite në Qendrën e Shëndetit Mendor në Podujevë, Bulliqi ka thënë se rasti i G.C. dhe F.B. janë më të rëndat e atyre që kanë me probleme mendore në këtë komunë.

“Sigurisht që interesimi jonë është për këtë grup të popullatës që është i margjinalizuar dhe e cili ka nevoja për një trajtim më të veçantë. Prandaj ne përveç që morëm informacione nga zyrtarët kompetentë, po ashtu i shprehëm brengat tona se çdo ditë i shohim në rrugë një numër relativisht të madh të personave të cilët kanë nevojë për trajtim dhe të cilët për mungesë të kapaciteteve trajtuese për ta, nuk munden me i vendos dhe me i marrë në trajtim”, ka thënë Shpejtim Bulliqi pas kësaj vizite.

Ai ka theksuar se të dy palët janë zotuar që të angazhohen në mënyrë që të ndihmojnë njëri-tjetrin në kryerjen e këtyre punëve për të pasur një trajtim të mirë për këta qytetarë.

“Qysh u kuptua nga takimi, këta e realizojnë punën e tyre me ata persona të cilët kanë qëndrim ditor këtu, trajtohen me medikamente adekuate, por edhe me veprime tjera dhe sigurisht që për disa raste që janë më të rënda, që i kemi në komunën tonë duhet parë mundësinë për të gjetur hapësirë me i vendos në institucionet gjegjëse ku është qëndrimi më i gjatë kohor dhe trajtimi dhe rehabilimi gradual i tyre”, është shprehur kryetari i Podujevës. “Jemi në vazhdën e diskutimeve dhe besoj që disa prej veprimeve konkrete do t’i kemi në ditët në vijim”.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, ka thënë se janë të njoftuar për të dy rastet, por se problemi është te kapacitetet e Institutit në Shtime.

“Ajo çka për mua është shumë me rëndësi është shprehja e interesimit për një popullatë shumë të margjinalizuar, për shkak se pacientët psikiatrikë janë të stigmatizuar prej familjes e pastaj nga gjithë shoqëria. Dhe kjo është një luftë të cilën po duam me bë që ta zvogëlojmë stigmën ndaj tyre, ta fuqizojmë familjen dhe ata me i marrë shërbimet të cilat i meritojnë si pjesë e barabartë e kësaj shoqërie. Kështu që ky takim me kryetarin është një shprehje e interesit për kujdesin të cilin ka nevojë kjo pjesë e popullatës e cila është shumë e margjinalizuar”, ka theksuar Sami Rexhepi.

Ai ka thënë se QSHM-ja në Podujevë ka nevojë për punëtorë shtesë, por për shkak se janë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas tij, komuna nuk ka mundur t’u bëjë zgjidhje.

“Mirëpo kryetari na premtoi një makinë e cila do të jetë në shërbimin tonë, ndërsa për mirëmbajtjen e makinës dhe krejt tjerat do të jenë pjesë e komunës. Që është një ndihmesë shumë e madhe për neve, sepse na duhet makina që tërheq me katër rrota për shkak se duhet çdo pjesë e territorit pacientët me pas atë të drejtë të shërbimit, kjo do të jetë një ndihmesë e madhe”, ka thënë drejtori Rexhepi.

Duke folur për rastet e personave me probleme mendore që jetojnë rrugëve të Podujevës, ai ka thënë se ata në rend të parë paraqesin rrezik për vetveten, pastaj i rrezikojnë edhe të tjerët.

“Në Kosovë nuk kemi institucione të mbyllura psikiatrike, por janë të hapura dhe gjysmë të hapura dhe i vetmi vend për këto dy raste (R. dhe F.) të cilat jemi shumë më herët të njoftuar, ne i kemi komplet informatat dhe dosjet e tyre të rregulluara për këta dy. Mirëpo në Institutin në Shtime nuk ka vende të lira për ta dhe do të bëjmë të pamundurën që së paku këto dy raste ta gjejmë një zgjidhje. Mirëpo qëllimi jonë gjithmonë është fuqizimi i familjes dhe trajtimi i këtyre njerëzve dhe mbështetja e tyre në rrethin familjar se nuk ka vend më të mirë se vetë familja”, është shprehur ai.

KOHA ka raportuar më herët se si shumë persona me sëmundje mendore kanë mbetur pa përkujdesje. Të tillët tërë kohën e kalojnë rrugëve e parqeve të qytetit. Për shkak të bartjes së ushqimeve me vete, ata pothuajse çdoherë janë të shoqëruar nga qentë endacakë, të cilët mund të jenë të rrezikshëm për kalimtarët e sidomos fëmijët. Psikiatri në Qendrën e Shëndetit Mendor, Orhan Qerimi, kishte thënë vitin e kaluar se janë më shumë se 20 persona që refuzojnë të marrin trajtim mjekësor dhe se kjo u lejohet edhe me ligj. Qerimi kishte thënë se ata mund t’i trajtojnë këta persona pavullnetshëm vetëm në rast se shkaktojnë ndonjë incident dhe kjo bëhet me një vendim të gjykatës ose nga një komision prej tre anëtarësh, të cilët e vlerësojnë nëse kjo është e nevojshme. Por, për shkak të mungesës së automjetit, kjo Qendër i ka ndalë vizitat edhe nëpër shtëpi për t’i trajtuar personat që kanë probleme mendore. Psikiatri ka thënë se në Komunën e Podujevës i ka në trajtim 401 persona me probleme psikike. Por, ky numër sipas tij, mund të jetë edhe më i madh, pasi këtu nuk përfshihen persona që janë të padiagnostikuar.

Image