Arbëri

Ende nuk dihet vlera e dëmeve nga vërshimet në katër komuna të rajonit të Prishtinës

Vërshimet që ndodhën gjatë kësaj jave kanë shkaktuar shumë dëme në ekonomitë familjare, në bujqësi e infrastrukturë në katër komuna të rajonit të Prishtinës: Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë e Graçanicë.

Megjithatë, zyrtarët komunalë ende nuk e dinë saktë vlerën e këtyre dëmeve. Ata thonë se komisionet po punojnë për të mbledhur të dhënat nga terreni, për të kërkuar pastaj nga Qeveria që t’u dilet në ndihmë.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, thotë se Komisioni komunal është duke i evidentuar këto dëme në terren.

“Nga vërshimet janë prekur zonat-fshatrat përgjatë rrjedhës së lumenjve: Dumoshi, Shtedimi, Sfeçla, Siboci, Lluga, Tërnava, Bellopoja, disa shtëpi në qytet dhe zona të tjera në disa fshatra. Këto vërshime kanë shkaktuar dëme më të konsiderueshme në ekonomi familjare, bujqësi (kryesisht dëme më të mëdha janë bërë në rendimentin e grurit) dhe në infrastrukturë (prishja e urës në fshatin Lupç të Epërm, si dhe për dy ditë ka pasur probleme në qarkullim rrugor në disa prej rrugëve në fshatra të ndryshme të Komunës sonë”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës.

Komuna e Podujevës nuk ka mjete për t’iu dalë në ndihmë të dëmtuarve nga këto vërshime. Fatri Zhitia thotë se pas përgatitjes së raportit me dëme, i njëjti do t’i dërgohet Qeverisë.

“Komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore është formuar dhe është duke bërë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve. Sapo të kompletohet lista me evidentimin e dëmeve ajo do t’i dërgohet Qeverisë. Kryeministri në detyrë në një takim virtual me kryetarët e komunave, sot ka njoftuar se Qeveria e Kosovës të premten do të formojnë Fondin Emergjent për vërshimet të shkaktuara gjatë ditëve të kaluara nga reshjet e shiut dhe borës”, ka thënë Fatri Zhitia.

Sipas tij, Komuna do të ndërmarr veprimet e nevojshme për evitimin e shkaktarëve të vërshimeve në disa zona, që kanë ndodhur si pasojë e ngushtimit të shtretërve të lumenjve e përroskave.

Dëme në ekonomi familjare, kultura bujqësore e infrastrukturë janë shkaktuar edhe në Komunën e Obiliqit. Zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Arba Mirena, thotë se zonat e prekura nga vërshimet janë fshati Graboc, Palaj, Plemetin, Obiliq, Mazgit i Ulët, Raskovë dhe Bakshi.

“Vërshimet në komunën e Obiliqit kanë shkaktuar dëme në ekonomi familjare, në kulturat bujqësore dhe në infrastrukturë. Komuna e Obiliqit ka formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga këto vërshime. Tash për tash nuk mund të japim shifra, sepse dëmet janë variabile nga familja në familje dhe nga toka bujqësore në tokë bujqësore. Komisioni do të nxjerrë një gjendje përfundimtare shumë shpejt”, ka theksuar Arba Mirena.

Sipas saj, menjëherë pas vlerësimit të dëmeve nga ana e komisionit, do të shohin format se si t’u ofrohet mbështetje qytetarëve në dëmet tek ekonomitë familjare, por edhe në kulturat bujqësore.

“Ne do të kërkojmë mbështetje edhe nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjegjësisht në ministritë e linjës. Asnjë qytetarë nuk do të mbetet pa përkrahjen institucionale!”, ka thënë zyrtarja Mirena.

Për dallim nga Komuna e Podujevës, ajo thotë se vërshimet nuk janë shkaktuar për shkak të ngushtimit të shtretërve të lumenjve dhe telasheve me kanalizime.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Fushë-Kosovës dhe ajo e Graçanicës për dëmet e shkaktuara nga këto vërshime, por zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Në Fushë-Kosovë një lagje e tërë kishte qenë në ujë pas reshjeve të fundjavës së kaluar dhe ditës së hënë, ndërkohë që vërshime kishte pasur edhe nëpër fshatra. Në një rast, vërshimet kanë hequr edhe asfaltin.

Ndërkohë, në një njoftim të Komunës së Graçanicës, thuhet se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në shumë ekonomi familjare dhe institucione. Ndërkohë, situata më e vështirë kishte qenë në pjesën më të madhe të Graçanicës, në Gushtericën e Poshtme, Llapllasellë, Preoc, Uglar, Lepinë, Skullan, Radevë, Livagjë dhe Kuzmin.

“Përveç ekonomive familjare të shumta, objekteve ndihmëse, hambareve, të mbjellave dhe tokave të punueshme, u përmbytën disa institucione, duke përfshirë disa objekte të institucionit parashkollor ‘Gjurgjevak’. Uji depërtoi në disa institucione shëndetësore dhe shkolla, ndërsa situata më e vështirë është në shkollën fillore ‘Milladin Mitiq’ në Llapllasellë, ku u përmbyt i gjithë oborri. Oborri i kishës së Shën Petkës në Llapllasellë si dhe varrezat e fshatit gjithashtu u përmbytën”, thuhet në njoftimin e Komunës së Graçanicës.