Dy familje ankohen se Gjykata mori vendim të ulët ndaj shoferit të autobusit që la dy të vdekur në Lipjan

Lipjan, 10 janar - Dy familje nga fshati Babush të Komunës së Lipjanit po ankohen se Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, ka shqiptuar një dënim të ulët ndaj shoferit të një autobusi, i cili rreth tre vjet më parë kishte goditur disa vetura afër një pompe të karburanteve në këtë fshat, duke lënë të vdekur dy persona dhe disa të lënduar . Ndërkaq të lënduarit e këtyre familjeve në këtë aksident deri tash nuk kanë marrë asnjë kompensim nga organet kompetente, madje institucionet publike i kanë vlerësuar se kanë marrë vetëm lëndime të lehta trupore. Ndërkaq Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, më 27 nëntor të 2020-s ka dënuar shoferin e autobusit (E.J. ) me një vit e 2 muaj burgim për vepër penale, shkaktim i rrezikut në komunikacion.
Izjavere Azemi, bashkëshortja e të ndjerit Muhamedalisë, ka thënë se ishte pjesë e këtij aksidenti dhe për disa minuta ishte pa vetëdije. Ajo ka kritikuar Gjykatën Themelore në Lipjan për një vendim të ulët ndaj shoferit të autobusit (E.J. ) i cili me shpejtësi të madhe e kishte shtypur veturën e tyre në një pompë të karburanteve. ”Shqetësimet janë të mëdha rreth këtij vendimi, i cili është shumë i ulët. Ne ua kemi lënë drejtësisë, por nuk jemi të kënaqur sepse kemi humbur anëtarin e familjes, kanë mbetur fëmijët pa prind. Asnjëherë nuk më ka thirrur Gjykata, andaj nuk e di se ku janë bazuar ata për ta marrë një vendim kaq të ulët për një shofer i cili ka zhvilluar një shpejtësi të madhe duke rrezikuar edhe shumë persona të tjerë”, është ankuar Azemi. Ajo shpjegon se më 28 maj të vitit 2018, autobusi i një kompanie e kishte goditur veturën e tyre duke e shtypur për muri në një pompë të karburanteve. “Kur më ka dalë vetëdija e kom pa burrin e vdekur në vend, djalin e axhës së burrit ashtu mbrapa. Deri në Prishtinë ka mbërri me shenja jete, por edhe ai vdiq, unë kam qenë e lënduar shumë, tash i kam pasojat tepër të mëdha, jam në depresion, kam probleme me unaza të qafës”, ka thënë ajo.