Arbëri

Peja rrezikon të mbesë pa shërbim të bartjes së mbeturinave

Grumbuj mbeturinash mund të jetë pasqyra e rrugëve dhe rrugicave të qytetit dhe fshatrave të Pejës që nga muaji shkurt, ka paralajmëruar kompania rajonale e mbeturinave “Ambienti”, që për shkak të gjendjes së rëndë financiare thotë se shërbimin mund ta kryejë vetëm edhe për një apo dy muaj.

Nexhat Abdullahi, drejtor i kompanisë me 480 punëtorë, përfshirë njësitet në Istog e Klinë, ka thënë se situata është rënduar për shkak të pandemisë.

“Patëm filluar mirë vitin deri në momentin e paraqitjes së pandemisë kur u çrregullua gjithçka. Njerëzit i kapi paniku jo për ushqimi, jo gjësendet tjera dhe u mbyll gjithçka. Dhe ne u rrezikuam shumë. Në muajin prill e maj nuk kemi pas inkasim as 40 për qind të faktuarve. Dhe kur një apo dy muaj dështojnë, na çrregullohet komplet sistemi financiar”, ka deklaruar ai për KOHËN.

Abdullahi ka treguar se problemet ep ara financiare ishin shfaqur në muajin qershor, pas dy muajve me inkasim të ulët. Ai ka thënë se kompania ishte këndellur financiarisht me 300 mijë eurot ndihmë nga Qeveria nga pakoja emergjente, megjithatë shpenzimi i tyre i shpejtë rrezikon që të ndërpritet funksionimi i operimeve.

“Parashikimet dhe frika është evidente se në mosmundësi të inkasimit të sasisë së mjaftueshme të parave, diku në muajin shkurt kemi me ndje rrezikshmërinë e mosmundësisë së funksionimit të ndërmarrjes. Përpjekjet tona kanë më qenë maksimale që ta mbajmë nën kontroll situatën, përndryshe ne nuk do të jemi fajtorë”, ka thënë Abdullahi.

Image

Abdullahi është ankuar që kompanitë për menaxhim mbeturinash nuk janë përfshirë në ndihmën e fundit që ndau Qeveria për ndërmjarrjet. Qeveria së fundmi ndau mjete për “Trepçën”, kompanitë rajonale të ujërave “Mitrovica” dhe “Hidromoravës”, ndërsa iu ndanë 400 mijë euro edhe kompanisë së mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë. Sipas tij, kjo paraqet diskriminim.

“Po shpresojmë që edhe pandemia nuk do të zgjasë dhe shumë dhe kishim me dalë nga kjo situatë si kompani me tri njësitë tona që i kemi. Përndryshe, nëse nuk na del dikush në ndihmë financiarisht, me kushtet aktuale financiare që i kemi do të bimë në kolaps si kompani”, ka thënë ai.

Abdullahi është ankuar se kjo kompani ka kërkuar ndihmë edhe nga Komuna, por ka shtuar se ajo s’ka ndarë asnjë cent.

“Ekziston mundësia që ata të kenë telashe serioze, që ka për të reflektuar edhe në qytet, por kapaciteti komunal për ndihmë kësaj kompanie edhe pse komuna është 100 për qind aksionare e saj, është i vogël. Ne si komunë kemi qenë të bindur që kompania ‘Ambienti’ do të përfiton nga ai fond njëmilionësh, por ja që ka ndodh e kundërta dhe nuk ka përfituar. Dhe ne e kemi të pamundur tash ta ndihmojmë këtë kompani në këto rrethana, kur sot (enjte) ka qenë dita e fundit e pagesave dhe bllokohen pagesat prej thesarit”, ka thënë drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj.

Ai ka pohuar se prej janarit komuna do të bëjë presion ndaj Qeverisë për ndihmë ndaj kësaj kompanie.

Për situatën e përkeqësuar në “Ambient” dhe rrezikun e mbetjes së Pejës pa shërbimin e bartjes së mbeturinave, shoqëria civile fajëson të gjithë palët.

“Institucionet e kanë përgjegjësinë, duke u nisur prej Qeverisë, Komunës, edhe ndërmarrjes ‘Ambienti’. Pastaj sigurisht që do të duhej edhe një vetëdijesim më i madh i qytetarëve në relacion për pagesat e faturave për këtë shërbim”, ka deklaruar Veton Mujaj, drejtor i OJQ “Syri i Vizionit” në Pejë.