Arbëri

Ekzekutivi i Lipjanit kritikohet për diskriminim gjatë asfaltimit të rrugëve

Descriptive Text

Komuna e Lipjanit gjatë ditëve të fundit me një intensitet të shtuar është duke asfaltuar rrugë dhe rrugica në disa lokalitete. Por reagime të shumta ka pasur nga banorët e Shalës dhe disa lokalitete të tjera për diskriminim.

Kjo çështje është debatuar mjaftë gjatë edhe në mbledhjen e Kuvendit të hënën, derisa kuvendarët kanë kritikuar ekzekutivin për diskriminim.

Manush Shamolli, kuvendar nga radhët e Nisma Socialdemokrate ka thënë se në fshatin Shalë janë asfaltuar disa rrugë private dhe janë anashkaluar ato publike që janë në kadastër.

“Kam një shqetësim për fshatin Shalë se nuk po shtrohen rrugicat që janë në kadastër, por po shtrohen rrugët private. Siç e kemi rastin e rrugës në sheshin e fshatit e cila është në kadastër dhe nuk është asfaltuar, po ashtu e kemi edhe një rrugicë tjetër në të cilën frekuentojnë afër dhjetë familje, por nuk është asfaltuar. Ky është shqetësim i shaljanëve dhe është shqetësim imi”, ka thënë mes tjerash Shamolli.

Me kritiken e Shamollit është pajtuar edhe vetë kryetari i Komunës, Imri Ahmeti. “Manushi ka të drejtë, unë di të jem korrekt dhe të them publikisht se ke të drejtë. Në fakt unë nuk kam vendosur se cilat rrugë të shtrohen atje në Shalë, por ka pasur një kryesi të fshatit, e cila i ka sjellë ato emra të rrugëve. Të jesh i bindur se nuk kam bërë anime atje, sepse unë nuk e kam asnjë familjar timin, mik apo dajë atje. Rrugët që janë asfaltuar atje, janë bërë sipas numrit më të madh të banorëve. Por ka edhe rrugë që ndoshta janë harruar, sigurisht se është e padrejtë kjo rruga te sheshi, por po mendoj se do të gjejmë mundësinë që t’i shtrojmë edhe ato”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, komuna gjatë asfaltimit të rrugëve ka hasur në disa probleme pronësore jo vetëm në Shalë, por edhe në fshatin Resinovc, derisa banorët ua kanë ndërprerë punimet.

“Por unë po kërkoj prej shaljanëve që të na ndihmojnë që t’i zgjidhim këto probleme nëse dëshirojnë t’i shtrojnë rrugët, ndryshe ne nuk kemi mundësi që të hyjmë në formë të dhunshme ose me organet e rendit për t’i shtruar rrugët. Unë e pranoj se janë harruar jo vetëm dy rrugë, por ka edhe tjera, e pranoj se është bërë një lëshim, por edhe e pranoj se duhet të bëjmë përpjekje që t’i fusim në buxhet”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, për fshatin Banullë, kritika mjaftë të ashpra ka dhënë kuvendari nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Salihu.

“Asfaltohen rrugica familjare ku banojnë një apo dy familje, ndërkaq kemi rrugë që ndajnë lagje të tërë me mbi 60 shtëpi e që rruga e tyre është e paasfaltuar. Kërkoj që të përdoren kritere e të mos bëhen diskriminime të tilla, pasi që tek e fundit rrugët asfaltohen nga mjetet që mblidhen nga taksat tona”, ka thënë Salihu. Ai ka shtuar se ekzekutivi është dashur ta kuptojë se asfalti nuk sjell vota dhe kjo duhet ta shtyjë komunën që vendimet t’i marrë në bazë të kritereve dhe nevojave të qytetarëve.

“Pra që asfalti nuk sjellë vota, PDK-ja e ka kuptuar nga zgjedhjet qendrore, ndërkaq LDK-ja është dashur ta kuptojë nga zgjedhjet e fundit në Podujevë, derisa edhe në ditën e fundit kanë shtruar asfalt, por rezultatin po besoj e dini”, ka thënë ai.