Arbëri

Shkaku i vjetërsisë së disa objekteve në Ferizaj rrezikohen dhjetëra familje

Rreth 60 vjet më parë dhjetëra objekte banesore në bashkëpronësi janë ndërtuar në qytetin e Ferizajt në prona publike, por gjatë kohës së fundit shumë familje po ndihen të rrezikuara nga vjetërsia e tyre.

Ato po kërkojnë nga Komuna që të përkrahen me rinovim apo rindërtim të objekteve të tyre.

Më të rrezikuar po ndihen banorët në rrugën “Ahmet Kaçiku” pasi që objekti i tyre mund të jetë dëmtuar edhe gjatë punimeve të nënkalimit në qendër të qytetit.

Rrezikshmërinë e këtyre objekteve e kanë konstatuar edhe zyrtarët komunalë.

Por plani i ri i hartuar nga Komuna nuk kishte arritur t’i siguronte numrat e kuvendarëve në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

“Jo vetëm ndërtesa te semaforat, por edhe shtëpia e bardhë, edhe disa objekte të vogla banesore që janë afër shkollës fillore, të gjitha këto janë me kushte jo të mira të jetesës dhe me rrezik për jetë dhe qëllimi im ka qenë ky që t’i trajtoj”, ka thënë Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit në Ferizaj.

Aliu ka bërë me dije se kjo rregullore do të rikthehet për debat në Kuvend vetëm nëse asamblistët e shohin të arsyeshme për t’i zgjidhur problemet e banimit të këtyre familjeve.