Kosovë

Ndërtimi i spitalit - premtimi që përsëritet në çdo fushatë elektorale

 

Podujevë, 25 nëntor – Ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë është njëri prej premtimeve që përsëritet nëpër fushata zgjedhore për vite të tëra. Kështu ka ndodhur edhe tash kur qytetarët e kësaj komune pritet t’u drejtohen kutive të votimit ditën e diel.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është kujdesur që në ditën e parë të fushatës ta bëjë publik lajmin se është finalizuar projekti për ndërtimin e këtij spitali. Ndërsa, këtë e ka përsëritur edhe ditën e mërkurë gjatë një vizite që i ka bërë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili është në garë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë. Rudari, që vjen nga e njëjta parti me Zemajn, e ka mohuar se kjo po bëhet për shkak të fushatës.