Arbëri

Opozita akuzon qeverisjen në Lipjan për degradim të sektorit të arsimit

Duke u ankuar se qeverisja lokale po ua pamundëson mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e dy partive opozitare në Lipjan kanë mbajtur një konferencë shtypi, për të shpalosur shqetësimet e tyre rreth asaj që e kanë quajtur degradim të arsimit.

Sipas tyre, qeverisja aktuale lokale i kishte pranuar pesë mësimdhënës pa qenë fare pjesë e konkursit, ndërkohë që pas publikimit të rastit konkursi ishte anuluar.

Lulzim Rrustemi, shef i Grupit të këshilltarëve nga radhët e PDK-së, ka kërkuar për këtë arsye shkarkimin e drejtoreshës së Arsimit dhe zyrtarit ligjor.

“Në listën e kandidatëve të pranuar pas përfundimit të procedurave të rekrutimit figurojnë emrat e pesë kandidatëve që nuk kanë marrë pjesë fare në procesin e rekrutimit, tre kandidatë të profilit parafillor, një kandidat mësimdhënës në lëndën e edukatës qytetare, një kandidat mësimdhënës në lëndën e makinerisë dhe një kandidat mësimdhënës në lëndën e historisë”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq Bashkim Budakova, shef i Grupit të AAK-së, ka thënë se gjendja e arsimit është shqetësuese dhe alarmante, pasi që qeverisja lokale e ka politizuar deri në shkallë të degradimit.

“Kjo i kalon te gjitha limitet e institucionales, morales dhe njerëzores. Pra ne kërkojmë që të hetohen në tërësi të gjitha konkurset për ta parë degradimin që i është bërë këtij sektori bazë të shoqërisë”, ka deklaruar Budakova.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat me arsyetimin se opozita po ndërton kauzë për ta mbuluar të kaluarën.

“E di se ka pasur një gabim teknik, por gjithmonë duhet nisur nga fakti se çfarë efekte ka prodhuar, zero efekte, cka është dëmtuar komuna financiarisht ose shoqëria, zero efekte. Ka qenë një publikim 5 apo 6 orësh, i cili përnjëherë është tërhequr për një gabim teknik, është anuluar dhe efekti është zero”, është shprehur Ahmeti.

Sipas kryetarit, seanca e parë e jashtëzakonshme është thirrur me kërkesë të opozitës, mirëpo ata nuk kanë marrë pjesë, andaj e kanë konsumuar të drejtën e tyre për një seancë të tillë.