Arbëri

Asfalt në pronë private, pronari ua ndalon shfrytëzimin e rrugës banorëve të tjerë në Lipjan

Rruga “Nazmi Reçica” në Rubovc të Lipjanit është asfaltuar nga Komuna, por ajo nuk po shfrytëzohet.

Këtë nuk po e lejon pronari i parcelës pasi që, sipas tij, rruga ka qenë private dhe madje Komuna e ka shtruar asfaltin pa dijeninë e tij.

Shkaku i afërsisë me pronarin banorët e këtij fshati nuk janë deklaruar para kamerës, por i kanë kërkuar Komunës që t’ua bëjë një zgjidhje alternative.

Në anën tjetër, Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së, Dega në Lipjan, ka thënë se Ekzekutivi i Lipjanit ka ndërtuar edhe një fushë sportive në fshatin Babush, e cila, sipas tij, është pronë e AKP-së

“Gjatë këtyre ditëve kemi pranuar shumë ankesa nga qytetarët e fshatit Rubovc, ku disa banorë janë ankuar se një qytetar e ka bllokuar rrugën, sepse Ekzekutivi i Lipjanit ka shtruar rrugë në pronë private, gjë që në mes të këtyre banorëve Ekzekutivi ka ngritur probleme familjare të banorëve të asaj lagjeje”, ka thënë Rizani.

Ndërkaq Shkëlzen Bislimi, shef i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se realizimi i projekteve në prona të kontestuara po e dëmton buxhetin e taksapaguesve nëpërmjet përmbarimeve gjyqësore.

“Komuna e Lipjanit po asfalton rrugica, në mesin e tyre edhe rrugica private, siç është rasti i fundit në fshatin Rubovc. Gjithashtu ne dyshojmë se edhe në fshatin Babush është asfaltuar fusha e sporteve në pronën e AKP-së, gjë që po shkakton telashe më vonë”, ka thënë Bislmi.

Në anën tjetër, Diamant Bytyqi, zëdhënës i Komunës së Lipjanit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se rasti në Rubovc ka qenë kërkesë e banorëve për ta asfaltuar atë rrugicë, mirëpo ndërkohë kanë lindur probleme në mesin e atyre banorëve.

Komuna, sipas Bytyqit, është duke konsideruar mundësitë e asfaltimit të një rruge tjetër alternative që të mos ketë pengesa në të ardhmen.