Arbëri

14 të vdekur nga COVID-19 në Obiliq që nga fillimi i pandemisë, një shkollë e mbyllur

Në Obiliq 14 të vdekur me COVID-19 janë regjistruar që nga fillimi i pandemisë. Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Obiliq, Vlora Mjekiqi Kabashi, thotë për KosovaPress, se si komunë e kanë menaxhuar mirë situatën.

Ajo bënë të ditur se deri më tash në këtë komunë ka më shumë të shëruar sesa të infektuar, me gjithsej 197.

Mjekiqi Kabashi tregon për masat e ndërmarra deri më tash si komunë.

“Që nga fillimi komuna e Obiliqit ka siguruar mjete mbrojtëse për Covid-19, për personelin shëndetësor, por njëherësh kemi furnizuar një pjesë të popullatës me maska dhe dezinfektues. Në të gjitha shkollat për nxënësit kemi siguruar maska dhe dezinfektues dhe në 4 faza është bërë dezinfektimi i rregullt i të gjitha institucioneve komunale”, shprehet ajo.

Mjekiqi-Kabashi tregon se shkolla “Hasan Prishtina” në Milloshevë është mbyllur pasi kishte pasur të infektuar.

“Për momentin shkolla e Milloshevës ka filluar me mësim online, ku 4 mësimdhënës kanë rezultuar pozitiv dhe tash kanë filluar me planin ‘C’, pra me mësim online. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, stabile, janë jashtë rrezikut për jetë”, thotë ajo.

E me menaxhimin e pandemisë në këtë komunë, ajo thotë se kanë arritur të evitojnë problemet.

“Për momentin komuna e Obiliqit nuk ka ndonjë problem karshi Covid-19 për shkak se e kemi objektin e ndarë ku i trajtojmë pacientët me Covid-19 dhe pacientët e dyshuar me Covid-19. Pra, i kemi 2 dhoma të ndara për ata të cilët kanë rezultuar pozitiv dhe për ata të cilët dyshojmë se janë të infektuar. Të gjitha shërbimet i kryejnë aty dhe rasteve të tjera ku kemi 4 ekipe shëndetësore në teren që ofrojnë ndihmë shëndetësore për të rezultuarit pozitiv. Përveç kësaj, familjet në nevojë, të rezultuara pozitiv, në vazhdimësi i furnizojmë me pako ushqimore”, thekson ajo.