Arbëri

Presidenti pritet ta caktojë datën e zgjedhjeve për Podujevë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet ta caktojë datën për zgjedhej për kryetar të Podujevës, e ka gjasa ta bëjë të njëjtën gjë edhe për Mitrovicë të Veriut, raporton një burim i KOHËS.

Burimi ka thënë se për këtë çështje ai e ka pritë në zyre kryetaren e KQZ-së. Po pritet që data e zgjedhjeve të jetë 22 nëntori. 

Por, po besohet se LDK-ja është duke bërë përpjekje për ta vështirësuar procesin, meqë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vendosë që institucionet mos të kenë takime me prezencë më të gjërë se 10 persona.

“Kjo i bie që as KQZ-ja nuk ka mundësi me u mbledhë, meqë i ka 11 anëtarë, e kjo ka efekt edhe në vendvotime, ku prezenca e zyrtarëve e vëzhguesve është mbi 10 persona”, ka thënë burimi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku është biseduar për mundësinë e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, është njoftuar nga Presidenca.

“Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka takuar Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën. Presidenti Thaçi dhe kryetarja Daka kanë biseduar për mundësitë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës kishte shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19”, thuhet nga Presidenca.