Arbëri

VV-ja e quan skandaloz buxhetin e Obiliqit, komuna thotë se i përgjigjet nevojave të qytetarëve

Descriptive Text

Skandaloz e kanë quajtur zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje buxhetin e Komunës së Obiliqit për vitin 2021.

Kryetari i Qendrës së kësaj partie në Obiliq, Halil Thaçi, ka thënë se ky buxhet nuk është për mirëqenien e qytetarëve, gjë të cilën e kanë mohuar zyrtarët komunalë. Thaçi i ka akuzuar komunarët edhe për joprofesionalizëm në përgatitjen e këtij buxheti.

“Edhe për vitin 2021, qeverisja lokale e Obiliqit e udhëhequr nga AAK vazhdoi planifikimin buxhetor vetëm për teket e hilet e jaranave të tyre. Edhe për vitin 2021 këta ‘profesionistë’ kanë planifikuar investime marramendëse kapitale duke harruar e anashkaluar pjesën më vitale për jetën e qytetarëve, siç është kultura, bujqësia e shëndetësia! Këta ‘profesionistë’ po e bëjnë të pamundurën që mjetet t’i harxhojnë në investime kapitale, duke hapur tenderë me shuma marramendëse e sigurisht që tashmë dihet kush është përfitues i tyre”, ka thënë Halil Thaçi.

Tutje, sipas tij, “ky buxhet mund të jetë gjithçka, por vetëm për mirëqenien e qytetarit nuk shërben.

“Ky buxhet de fakto shërben për përmbushjen e egove të oligarëkëve, te të cilët përfundojnë tenderat milonësh”, tha ai.

Por, zyrtarët komunalë të Obiliqit nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, kanë thënë se buxheti për vitin 2021 është votuar prej 18 këshilltarëve komunalë nga 21 sa ka gjithsej dhe vetëm 2 kanë qenë kundër dhe 1 abstenim.

“Ky buxhet si në çdo vit ashtu edhe në këtë vit, është përgatitur duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve të Obiliqit dhe të asamblistëve të Kuvendit. Sa i përket akuzave të VV-së, për informimin tuaj dhe të qytetarëve, përgjatë këtyre tri viteve, asamblistët e VV-së, nuk kanë dëshmuar se përfaqësojnë interesat e qytetarëve, sepse në asnjërin nga këto vite nuk kanë sjellë asnjë projekt-propozim për planifikim të buxhetit, qoftë në shpenzimet kapitale, në kategoritë e subvencioneve apo në kategori të tjera”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.

“Pra, komuna e Obiliqit në vazhdimësi ofron bashkëpunim dhe transparencë për qytetarët dhe për asamblistët e Kuvendit Komunal, andaj ne konsiderojmë se buxheti i aprovuar nga asamblistët, është përpiluar bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, përfshirë të gjitha sektorët që ndërlidhen drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe si i tillë me përkushtimin tonë të përbashkët si ekzekutiv dhe si asamble, do të punojmë në realizimin e tërësishëm të këtij buxheti, në mënyrë që qytetarëve të Obiliqit t’iu krijohen kushte sa më të mira të jetesës”, thuhet tutje.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se shuma totale e buxhetit për vitin 2021 është 11,190,796€, ku 5,640,796.00€ janë nga granti, 950,000.0€ nga të hyrat vetjake dhe janë 4,600,000.00€ është shuma që i takon kësaj komune në bazë të Ligjit për Obiliqin.