Arbëri

Gjilani dhe Vitia miratojnë buxhetet komunale për vitin 2021

Descriptive Text

Kuvendi Komunal i Gjilanit dhe Kuvendi Komunal i Vitisë kanë miratuar buxhetet komunale për vitin e ardhshëm.

Buxheti i komunës së Gjilanit për vitin 2021 është 27 milion e 734 mijë euro. Përqindja më e madhe e buxhetit do të shpenzohet për kategorinë e pagave dhe mëditjeve që është një shumë prej 15 milion e 894 mijë euro apo 57 për qind e buxhetit të përgjithshëm. Për kategorinë e investimeve kapitale janë ndarë 6 milion e 266 mijë euro.

Këto mjete financiare parashihen që të shpenzohen për realizimin e projekteve komunale. Ndërkaq për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve do të shpenzohen 4 milion e 112 mijë euro ndërkaq për kategorinë e shpenzimeve komunale do të shpenzohen 671 mijë e 500 euro. Për kategorinë e subvencioneve do të shpenzohen 790 mijë euro.

Opozita në këtë komunë që përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kundërshtuar këtë buxhet sepse në vlerësimin e tyre një buxhet i tillë nuk garanton zhvillim dhe as nuk plotëson pritjet e qytetarëve të cilët dëshirojnë përparim më të madh në sektorin e arsimit, shëndetësisë, biznesit dhe sektorët tjerë. Këto dy parti kanë kritikuar koalicionin qeverisës LDK-AAK se kanë hartuar një buxhet që bazohet në shifra por pa specifikuar projektet të cilat duhet të realizohen vitin e ardhshëm.

Me 15 vota për dhe 10 kundër të opozitës (LVV-PDK), Kuvendi e ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2021 si dhe vlerësimet e hershme 2022-2023.

Edhe Kuvendi Komunal i Vitisë ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm. Buxheti i kësaj komune për vitin 2021 është 12 milion e 490 mijë euro.

Nga kjo shumë për investimet kapitale janë paraparë 2 milion e 448 mijë euro. Këshilltarët nga opozita kanë kritikuar qeverisjen komunale që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës se ka hartuar një buxhet në të cilin nuk zë vend shumë projektet e investimeve për ujin e pijes dhe sipas opozitës nuk zënë vend në buxhet as projektet e shëndetësisë dhe arsimit.