I moshuari Nue Morina ka afër një vit që jeton i vetmuar, dhe për të dalë nga shtëpia i nevojitet ndihma e fqinjëve.
Mbështetje e ngjashme i duhet edhe për shërbimet mjekësore.
Për rastet e tilla Komuna e Prizrenit prej të enjtes, krahas kujdesit paliativ, ka filluar që të ofrojë edhe shërbimin geriatrik, përkatësisht shërbimin për të moshuarit që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, por që nuk kanë mundësi t’i vizitojnë qendrat e mjekësisë familjare.
Me këto shërbime të personelit mjekësor nga stafi i kujdesit parësor shëndetësor është shprehur i kënaqur Morina.
“Për mua këto qe sa vjet vijnë na këqyrin ne, na kanë këqyrë mirë... Vetëm kam mbetur, as andej, as këndej”, ka deklaruar Morina.
Me rastin e vizitave të para tek të moshuarit, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka shprehur qëndrimin se të moshuarit do të kenë përkujdesje profesionale nga personeli mjekësor.
"Sot me DSH-në dhe KPSH-në po fillohet edhe një shërbim i ri, i cili është i pari në Kosovë që jepet nga institucionet shtetërore, që është shërbimi geriatrik, pra shërbimi personave të moshuar dhe që nuk kanë mundësi të dalin nga shtëpitë dhe të marrin shërbimet e shëndetësisë primare nëpër QMF”, ka thënë Haskuka.
Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj, ka bërë të ditur se aktualisht janë 50 pacientë të moshuar që do të përfitojnë nga ky shërbim.
”Do të punojnë rreth 3 infermierë dhe mjeku, do të japin edukim shëndetësor në shtëpitë e tyre, do të përkujdesen për higjienën e tyre, matjen e tensionit arterial dhe paramasave të tjera vitale", u shpreh Arënliu-Hoxhaj.
Mirënjohëse për shërbimin geriatrik është edhe Sadije Elshani, që pohon se i ka pasur disa intervenime kirurgjike.
Komuna e Prizrenit prej vitit të shkuar ofron kujdesin paliativ, përkatësisht shërbime mjekësore në shtëpi për personat me sëmundje në fazën terminale.