Arbëri

Tufa e dhive në Kamenicë ngordh pasi shkeli në kabllon e këputur të rrymës elektrike

Katër krerë dhi kanë ngordhur në fshatin Strezovc të komunës së Kamenicës pasi kanë shkelur në një kabllo e cila ishte këputur nga shtylla elektrike.

Dhitë ishin duke kullotur në livadhin e fshatit në momentin kur ato u goditën nga rryma elektrike. Rastin e ka konfirmuar edhe policia. Fermeri i dëmtuar në këtë rast, Gani Berisha deklaron se ka njoftuar organet e rendit dhe se do të kërkojë kompensim për dëmet të cilat i janë shkaktuar.

“Rasti ka ndodhur në livadh dhe ka qenë djali duke i ruajtur dhitë. Kah teli i rrymës kanë shkuar edhe lopët, por ato e kanë kapërcyer sepse kanë hapa më të mëdhenj dhe në atë pjesë kanë kaluar dhitë dhe kanë prekur telin dhe i ka mbyt rryma në vend. Tash duhet t’i dërgoj dokumentet në drejtorinë e bujqësisë dhe tek KEDS-i dhe duhet të më kompensojnë. Me bagëti mbijetoj, jam njeri i varfër” shprehet ai.

Thotë se në fshatin e tij është problem rrjeti i vjetër i energjisë elektrike dhe se banorët disa herë janë ankuar për këtë çështje ngase paraqet rrezik. “Shumë keq i kemi punët me shtyllat e vjetra të rrymës”, thotë Berisha.

Kryetar i fshatrave Krilevë dhe Strezovc, Kujtim Demolli kritikon institucionet komunale që, sipas tij, nuk janë duke u marrë me shqetësimet e banorëve. Ai thotë se rrjeti i vjetër i energjisë elektrike është rrezik i përhershëm si për njerëzit ashtu edhe për kafshët.

“Kemi problem me shtyllat elektrike. Me cilën komunë të bisedojmë? Nuk po kemi me kënd të bisedojmë. As që na lënë të hyjmë brenda, shkon dhe kryetari nuk i merr parasysh ankesat e banorëve. Shkon tek KEDS-i dhe kjo nuk u intereson as atyre”, shprehet ai.

Zëdhënëi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë për KOHËN se gjendja e rrjetit të energjisë në atë pjesë është e rënduar prej disa vitesh, pavarësisht përpjekjeve për rregullim.

“Sa i përket gjendjes së rrjetit në atë pjesë, dihet se KEDS ka trashëguar gjendjen e rrjetit të rënduar. Ne, që nga viti 2013, kur kemi filluar operimet kemi filluar investimet anëkend vendit, duke kryer qindar projekte prej të cilave kanë përfituar qindra-mijë konsumatorë. Por, komplet rrjeti nuk mund të ndryshohet për 7 vjet”, ka thënë ai.

Ndërkaq policia ka futur këtë rast në raportin 24 orësh ku edhe prezantohen ngjarjet të cilat kanë ndodhur.

“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se përderisa ishte duke kullotur bagëtitë, nga shtylla elektrike është këputur një kabllo e rrymës elektrike dhe si pasojë të gjitha bagëtitë i kanë ngordhur. Njësitet përkatëse kanë dal në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin”, thuhet në këtë raport.