Kosovë

Banorët ankohen për pasiguri në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan

Banorët ankohen për pasiguri në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan

Banorët në lagjen “Idriz Seferi” në qytetin e Gjilanit ndjehen se jeta e tyre po rrezikohet nga shoferët të cilët nuk po respektojnë kufizimin e shpejtësisë në rrugën e cila shtrihet përgjatë lagjes së tyre. Ata deklarojnë se në këtë rrugë kanë ndodhur disa aksidente dhe rasti më i rëndë është kur një shofer kishte humbur kontrollin mbi automjetin e tij dhe më pas kishte kaluar në trotuar duke goditur një lokal ku të lënduar kishin mbetur disa qytetarë.

Banori i kësaj lagje, Tefik Ibrahimi thotë se banorët i ishin gëzuar ndërtimi të rrugës me katër korsi që shtrihet përgjatë lagjes së tyre mirëpo sipas tij kjo rrugë tani është bërë e rrezikshme për shkak të shoferëve të cilët vozisin shpejt ku këmbësorët janë pjesëmarrësit më të rrezikuar në komunikacion. Ai thotë se banorët në vazhdimësi i raportojnë shqetësimet e tyre në Policinë e Kosovës ku edhe kanë kërkuar shtim të patrullimeve në këtë rrugë. Shprehet se nuk është i kënaqur me reagimin e institucioneve në lidhje me shqetësimet e banorëve.