Arbëri

Ferizaj ridestinon 2 milionë eurot e ndara për Ligjin për Pagat

Këshilltarët në Kuvendin Komunal të Ferizajt nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë kundërshtuar propozimin e Ekzekutivit për ridestinimin e 2 milionë eurove, të cilat po konsiderohen si buxhet rezervë, pasi Gjykata Kushtetuese e ka anuluar vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik.

Ekzekutivi i Komunës fillimisht ka propozuar që shumica e këtij buxheti të destinohet për projekte kapitale, mallra dhe shërbime e subvencione në disa sektor të tjerë.

Ndërkaq opozita ka kërkuar që një pjesë e buxhetit të destinohet për shëndetësi, me qëllim të blerjes së mjeteve shëndetësore dhe menaxhimit sa më të mirë të situatës me pandeminë, pastaj për subvencionim të ndërmarrjeve të reja dhe publike, subvencione në kulturë e sport, bujqësi dhe mbështetje të familjeve skamnore, raporton KOHA.

Gëzim Kokollari, këshilltar nga radhët e LDK-së, ka thënë se janë ballafaquar dy koncepte në Kuvend, ai i asfaltit nga Ekzekutivi dhe koncepti i mirëqenies sociale nga opozita.

Po ashtu kritika rreth propozimit të Ekzekutivit për buxhetin rezervë ka dhënë edhe këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Jashari.

Ndërkaq Sebahate Ajeti, drejtoreshë për Buxhet dhe Financa, ka thënë se që nga muaji shkurt ende nuk është shpenzuar buxheti i shëndetësisë dhe i mirëqenies sociale për menaxhimin e pandemisë.

Në fund të kësaj pike të rendit të ditës me shumicë të votave dhe me disa plotësime nga kuvendarët është miratuar propozimi i Ekzekutivit për destinimin e buxhetit rezervë, në vlerë prej afro 2 milionë eurosh.