Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka nisur sot aktivitetin “Vendose maskën, shpëto jetën”, ku janë të angazhuar të rinjtë e shkollave të mesme dhe organizatave të ndryshme jo-qeveritare, në shpërndarje të maskave dhe vetëdijesim të qytetarëve për masat mbrojtëse anti-Covid-19.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka falënderuar Policinë për angazhimin e vazhdueshëm në vetëdijesim dhe këshilla për qytetarët në respektimin e masave mbrojtëse.
“Ekipet e të rinjve që dalin sot në terren së bashku me Policinë e Kosovës, e bëjnë këtë për sensibilizimin e qytetarëve në përdorimin e masave mbrojtëse. Kjo mbetet mënyra e vetme e luftimit të pandemisë globale. Apelojmë që të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve të institucioneve të shtetit, për bartjen e maskave, dezinfektuesve dhe ruajtjen e distancës sociale, në mënyrë që sa më pak të rezultojnë raste me infeksion dhe sa më shpejtë ta kalojmë këtë situatë”, ka thënë Ismajli, thuhet në një komunikatë të Komunës së Gjilanit.
Major Alban Ramushi, komandant i Stacionit të Policisë në Gjilan, ka ftuar qytetarët të respektojnë masat në luftimin e pandemisë.
“Virusi është shumë më afër se që ne mendojmë. Kjo është dëshmuar në raporte të rregullta të IKSHP-së, prandaj duhet të bartim maskat, të mbajmë distancën dhe kështu secili ta mbroj familjen e vet. Kujdesi duhet të jetë për të gjitha moshat pa dallim, sepse nuk ka përzgjedhje të moshës se kush infektohet e kush jo”, ka thënë mes tjerash, majori Ramushi.