Arbëri

Komunat i rregullojnë rrugët pa pasur projekt

Katër komuna kishin iniciuar procedura të prokurimit për investime në infrastrukturë pa pasur projekt të veçantë të ndërtimit.

Këto janë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilat janë paraqitur në raportin për vitin 2019 për komunat e Gjilanit, Kamenicës, Ranillugut dhe Novobërdës.

Auditori thekson se ligji i prokurimit publik saktëson se autoriteti kontraktues, që në këtë rast është komuna, duhet të hartojë projektin ekzekutiv, i cili duhet t’i bashkëngjitet atyre specifikave, të cilat janë pjesë e dosjes së tenderit.

Sipas auditorit, asnjë autoritetit kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa i bashkangjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit.

Në të kundërtën, inicimi i procedurës së prokurimit në mungesë të projektit ekzekutiv rezulton me anashkalim të kërkesës ligjore dhe mund të ndikojë në shpenzime paparashikuara të buxhetit duke lidhur aneks kontrata për punët e paparashikuara.

Auditori ka gjetur se komuna e Gjilanit për projektin e “hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” nuk kishte projekt ekzekutiv të ndërtimit. Kurse gjatë testimit të dosjes së tenderit të asfaltimit të rrugëve lokale në qytet dhe fshatra në Kamenicë në vlerë prej 161 mijë euro, edhe në këtë rast komuna nuk kishte projekt ekzektutiv.

Zyrtarët komunalë të Kamenicës i kishin deklaruar auditorit se ata nuk kishin pasur njohuri se duhet të hartojnë projekt ekzekutiv. Poashtu, edhe në komunën e Ranillugut në kontratën “asfaltimi i rrugëve në komunë” me vlerë 119 mijë euro, nuk kishte projekt ekzekutiv të ndërtimit. Edhe në këtë rast, zyrtarët e Ranillugut i kanë deklaruar auditorit se nuk e kanë ditur se duhet të ketë projekt ekzekutiv edhe për rrugët ekzistuese.

Auditori e ka sqaruar edhe rastin e komunës së Novobërdës.

“Komuna kishte filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik dhe ka lidhur kontratë në vlerë 60 mijë euro, pa hartuar paraprakisht projektin ekzekutiv të ndërtimit. Kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së njësive kërkuese pa bërë paraprakisht hartimin e projekteve ekzekutive zbatuese dhe mos funksionimi efikas të kontrolleve tek zyra e prokurimit duke zhvilluar procedurat pa u përmbushur kërkesat ligjore”, shkruhet në këtë raport i cili kërkon nga kryetarët e komunave që të sigurohen që të evitojnë këto mangësi.