Arbëri

Familjarët e të prekurit me COVID-19 ankohen se atij s’iu dha ndihma nga QKMF-ja në Lipjan

Descriptive Text

Një familje nga fshati Bujari në Lipjan është ankuar se stafi mjekësor i QKMF-së së kësaj komune nuk i ka ofruar trajtim familjarit të tyre të prekur nga COVID-19, pasi që gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar mëngjesin e së hënës.

Mentor Ismaili, banor nga fshati Bujari, ka thënë se prindit të tij i është keqësuar gjendja shëndetësore, ndërkohë me veturë private janë obliguar ta dërgojnë në ambulanten për trajtimin e COVID-19 në Lipjan.

“Në momentin që stafi mjekësor e kanë kuptuar se prindi im është me COVID-19, i gjithë stafi kanë dalë nga ambulanca dhe nuk i kanë dhënë asnjë shërbim, madje as oksigjen. Ndërkohë, jemi detyruar me veturë private ta dërgojmë në Infektive në Prishtinë. Për këtë e kemi bërë edhe një video, si dëshmi që e gjithë ambulanca për trajtimin e COVID-19 është zbrazur nga stafi mjekësor”, ka thënë Ismaili.

Agim Krasniqi, drejtor i QKMF-së në Lipjan, nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.

Ndërkohë, Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Lipjanit Mirdita Bytyqi, ka thënë se nuk është në dijeni nëse dikujt gjatë ditës nuk i është dhënë ndonjë shërbim i tillë.

E pyetur nga KOHA se si e komenton videon, në të cilën vërehet se stafi mjekësor nuk gjenden brenda objektit ku duhet të trajtohen pacientët e dyshuar me COVID-9, ajo ka thënë: “Kisha dashtë t’ua rikujtoj të gjithëve se virusi ka prekur edhe stafin, disa prej tyre janë ende në spital dhe se kemi sfidë në organizimin dhe riorganizimin, për shkak të tej ngarkesës së punëtorëve për vizita shtëpiake për pacientët pozitivë që nuk mund të vijnë në QKMF, vizitat e rregullta për pacientë pozitivë, vizitat në qendrën e azilit, vizitat apo kujdestaritë në APN çdo 4 ditë nga 24 orë. Ndërsa dita-ditës na reduktohet stafi, por shërbimet në asnjë formë nuk janë reduktuar ende”, ka thënë Bytyqi.