Kosovë

Komuna e Klinës vazhdon të lidhë kontrata në vlera më të mëdha se mjetet e zotuara

Komuna e Klinës vazhdon të lidhë kontrata në vlera më të mëdha se mjetet e zotuara

Auditimi i pasqyrës financiare vjetore në Komunën e Klinës për vitin 2019 nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nxjerrë një serë dobësish në procesin qeverisës të komunës. Gjatë auditimit të kryer, për vitin e kaluar, sipas raportit të ZKA-së, janë vërejtur devijime në po thuajse të gjitha kategoritë, si dhe parregullsi tjera të gjetura, të cilat ZKA i ka përmbledhur në raportin e saj për këtë komunë me gjithsejtë 19 rekomandime. Sipas ZKA-së janë tri më shumë se për vitin 2018 kur kanë qenë 16 rekomandime. Dhe implementimi i rekomandimeve, sipas këtij raporti, ende mbetet sfidë për këtë komunë.

“Nga 16 rekomandimet e dhëna për vitin 2018, pesë prej tyre janë zbatuar, dy ishin në proces, një është mbyllur, ndërsa tetë nuk janë adresuar ende. Si rezultat i përsëritjes së një numri të madh të rekomandimeve, shumë mangësi në sistemet domethënëse të komunës mbesin të pa trajtuara”, thuhet në këtë raport. Në mesin e rekomandimeve që po përsëriten janë edhe lidhja e kontratave në mungesë të zotimeve të mjaftueshme të fondeve, vonesa e pagesave, si dhe mangësia në procedimin e pagesave.