Arbëri

Serviseri i motoçikletave e ndez veturën me telekomandë

I ri në moshë, por ka mbushur një dekadë prejse punon zanatin e dëshiruar që nga fëmijëria.

Ky është Fatmir Idrizi nga Gjakova, serviser i motoçikletave.

Përveç riparimit të motoçikletave, ai ka dhe një pasion tjetër, të cilin herë pas here e nxjerr në pah.

Ta sistemojë veturën e tipit Golf të ndizet përmes telekomandës - kjo ishte dëshira e tij, raporton KOHA.

Teksa po e nxirrte në pah dëshirën për të ndezur makinën në një formë të tillë, serviseri nga Gjakova po shoqërohej nga miqtë e tij, njëri prej të cilëve besoi fuqishëm se ai mund ta realizonte.

Ani pse e vogël, punëtoria automekanike e tij i përshtatet Idrizit për të kryer punën që nga mëngjesi.

Punën prej një dekade, siç thotë serviseri i ri, e njohën shpejt klientët e thuajse të gjitha vendeve të Kosovës.

Punëtorinë e ka hapur prej tre vjetësh, por nuk e harron asnjëherë vendin e parë të punës ku edhe e mësoi mjeshtërisht zanatin.

Me pasion për zanatin që ushtron, Fatmir Idrizi tashmë shoqërohet përherë nga kolegët në punëtori, ndihmësit kryesorë për t’i përballuar me sukses kërkesat e klientëve pasionantë pas motoçikletave.