Arbëri

Komunarët sqarojnë planin e tyre për punimet në qendër të Gjilanit

Descriptive Text

Punimet për zgjerimin e rrugës në qendrën e Gjilanit do të vazhdojnë, derisa do të ketë një devijim të lehtë në afërsi të bibliotekës së qytetit, kanë bërë të ditur të marten komunarët.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka deklaruar se projekti për zgjerimin e rrugës ishte ndryshuar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, me qëllim që të mos preken hapësirat e gjelbërta në qytet. Ai ka thënë se punimet në qendër po vazhdojnë.

“Deri te biblioteka e qytetit planifikohet të zgjerohet në pjesën kah është duke u punuar; tash ana e majtë i bie kah rruga e Ferizajt, kurse tek biblioteka planifikohet të devijohet dhe të kalohet në anën tjetër dhe përreth ndërtesave kolektive të shkohet deri tek rruga e Malishevës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se komuna është duke parë mundësinë që të intervenojnë në infrastrukturën e rrugës, e cila lidh qytetin me fshatin Malishevë që shtrihet përreth kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Projekti nuk e pengon lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe do të shikohet mundësia që të vazhdojmë deri tek rruga e Malishevës. Dhe, pastaj të fillohet me ndërhyrjen edhe tek rruga e Malishevës, tek pjesa e FSK-s, sepse kjo pjesë ka mbetur për shkak të projektit të kolektorit të ujërave të zeza, pasi në këtë pjesë kalon edhe kolektori që shkon deri tek impianti në Uglar. Duke parë mundësinë që të vonohet si projekt kolektori dhe impianti i ujërave të zeza, po shikohet mundësia e ndërhyrjes në atë pjesë“, ka thënë ai.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit ka deklaruar se punimet në rregullimin e trotuarit në lagjen “Dardania” do të vazhdojnë duke respektuar kriteret ku edhe personat me aftësi të kufizuara do të kenë qasje më të lehtë sa i përket qarkullimit.