Arbëri

Kërkohet nga Kuvendi të miratohet kredia e BERZH-it për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të miratohet kredia e BERZH-it për projektin e trajtimit të ujërave të zeza.

Ajo ka thënë se një projekt i cili ka rëndësi kaq të madhe për banorët e Komunës së Gjilanit nuk duhet të politizohet.

Sipas saj, gjatë sezonit të verës qytetarët vuajnë nga ujërat e zeza, e sidomos pjesa përgjatë lumit Mirusha, Stanishorka, fshatrat, Pograxha, Malishava, Uglari dhe qendra e Gjilanit.

Ajo thotë se në këtë projekt është shpenzuar shumë energji, prandaj si i tillë do të duhej të miratohej.

Tahiri thekson se vlera e projektit është 22 milionë euro.

“Komuna e Gjilanit ka arrit ta bind BERZH dhe Bankën Evropiane për Investime dhe është arrit të bindet edhe Qeveria e Kosovës që të zgjidhet ky problem. Që nga viti 2017 kanë nisur investimet përgjatë lumit Mirusha. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza do të nis me dy faza, faza e parë ka të bëjë me rregullimin e dy kolektorëve për ujë atmosferik dhe kanalizim dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza”, ka thënë ajo.

Tahiri ka thënë se në vitin 2013 është kryer studimi i fizibilitetit nga fondet e Bashkimit Evropian.

Ajo thotë se është rishikuar studimi për të parë a ka ndryshime në terren. Sipas saj, rishikimi i ka hapur rrugë procesit të negocimit të marrëveshjes për financim.

Tahiri thotë se në kohën e ministrit të Financave Bedri Hamza ishte krijuar një ekip për negocim të marrëveshjes për financim. Ajo thotë se marrëveshja ishe nënshkruar në Sarajevë më 9 maj 2019.

“Një pjesë e fondeve për impiantin që është e Bankës evropiane për investime në vlerë prej 9 milionë euro është ratifiku bashkërisht me fondet e IPA-s në vitin e kaluar”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se në projektin 22 milionë euro, Komuna e Gjilanit e ka pjesën e shpronësimit e cila ka vlerën 440 mijë euro.

Tahiri ka thënë se lokacioni i impiantit është në fshatin Uglar, dhe sipas studimit të fizibilitetit për këtë fazë mjaftojnë 4 hektarë. Por, sipas saj, për nevojat e mëtutjeshme janë shpronësuar 8 hektarë.

“Deponia e mbeturinave menaxhohet nga niveli qendror. Ne po flasim për një impiante për trajtimin e ujërave të zeza me teknologji të sofistikuar. Ajo çka është me rëndësi është se në lokacionin ku do të ndërtohet impianti nuk ka shtëpi banimi në rreze prej 500 metrash”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se në bazë të studimit është planifikuar të përfundojë projekti në periudhë prej tri vjetësh.