Arbëri

Bulliqi: Thaçi po ia kthen favorin LDK-së me shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se me shtyrjen e zgjedhjeve në këtë komunë, presidenti Hashim Thaçi “po ia kthen favorin LDK-së”.

Shtyrja që presidenti Thaçi i bëri zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut pasi Goran Rakiq u largua nga pozita për t’u bërë zëvendëskryeministër, sipas Bulliqit, sinjalizon edhe shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë. Podujeva ishte paraparë të hynte në zgjedhje më 15 mars pas largimit të Agim Veliut, por një ditë para kësaj date zgjedhjet ishin shtyrë për shkak të situatës me pandeminë.

Ish-anëtari i LDK-së ka thënë se shtyrja e zgjedhjeve s’ka të bëjë me pandeminë, por me “kthimin e favorit për LDK-në dhe po i del në ndihmë për ta shpëtuar pushtetin e tyre nga humbja e pashmangshme”.

“Në kohën kur qeveria pa legjitimitet i ka hequr të gjitha masat e kufizimit të lëvizjes dhe ka hapur gjitha bizneset dhe po zhvillohet jeta në normalitet, çuditërisht Presidenti paska vendosur për shtyrje të zgjedhjeve në Mitrovicë, konkretisht është sinjal edhe për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë. Në fakt kjo më së paku ka të bëjë me situatën pandemike. Duket që presidenti po ia kthen favorin LDK-së dhe po i del në ndihmë për ta shpëtuar pushtetin e tyre nga humbja e pashmangshme. Sidoqoftë, shtyrja e tyre nuk e tjetërson dot vullnetin e qytetarëve për ndryshim në nivel lokal dhe qendror. Një ditë pashmangshëm do të matemi”, ka shkruar Bulliqi në një postim në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje po akuzon LDK-në se e mori pushtetin me “kontribut edhe të Thaçit”.