Arbëri

Opozita në Gjilan me vërejtje për projektet të cilat nuk po përfundohen sipas afateve

Descriptive Text

Këshilltarët komunalë të Gjilanit të cilët përfaqësojnë opozitën në seancën e Kuvendit Komunal që është mbajtur sot në shkollën e mesme “Xhavit Ahmeti” kanë kritikuar qeverisjen komunale se nuk ka arritur që të përfundojë disa nga projektet të cilat janë të rëndësishme për komunitetin.

Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë deklaruar se kanë analizuar raportin 1 vjeçar të punës së kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe në raportin për vitin 2019 nuk pasqyrohen ngecjet dhe zhvillimet të cilat kanë ndodhur në këtë komunë.

Këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Riza Abdyli ka deklaruar se banorët e komunës nuk janë të kënaqur me zvarritjet e projekteve siç është stadiumi i qytetit, palestra e sportive në fshatin Zhegër, mos përfundimi i punimeve në lumin Mirusha si dhe mosfinalizimi i punimeve në Qendrën e re të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Ai gjithashtu ka përmendur edhe problemet të cilat lidhen me rrjetin e kanalizimit duke kërkuar një vëmendje më të madhe nga pushteti komunal, transmeton KOHA.

“Qytetarët e Gjilanit po presin që këto projekte të përfundojnë në kohë dhe pse po zvarriten nuk e di ku po qëndron problem. Pse kryetari i komunës nuk është marr seriozisht me realizimin e këtyre projekteve por këto projekte po zvarriten me vite”, ka thënë ai.

Ndërkaq këshilltari komunal nga radhët e VV-së, Arianit Sadiku ka deklaruar se shumë projekte nuk kanë arritur që të përfundojnë në vitin 2019. Ai ka deklaruar se qeverisja komunale nuk i ka kushtuar rëndësi përgatitjes së raportit të punës për vitin 2019 duke nxjerr një raport i cili nuk është i saktë dhe i cili përmban të dhëna të cilat i kanë lexuar në raportin e vitit 2018.

“Është një material ‘copy paste’ dhe është një plagjiaturë. Ky raport për ne është i vitit 2018 dhe jo i vitit 2019. Gjilani ka humbur 1 vit punë në investime kapitale. Shumë projekte janë lënë në gjysmë dhe nuk dihet as për afatin kohor se kur do të përfundojnë. Me Lumin Mirusha kanë problem banorët e lagjes Dardania të cilët edhe më tej duhet të përballen me kundërmim meqë ajo pjesë nuk është mbuluar. Dhe probleme tjera të cilat i theksuan parafolësit”, ka thënë Sadiku.

Ndërkaq kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se raporti i punës do të rishikohet për të parë nëse ka pasur lëshime nga ana e tyre në aspektin e përgatitjes.

Ai ka thënë se një pjesë e projekteve të cilat lidhen me Ministritë kanë mbetur në gjysmë ngase ka pasur ndryshime në skenën politike të shtetit që është pasojë e krizave politike të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në nivelin lokal. Haziri ka theksuar se do të ketë vonesa në implementimin e disa projekteve duke kërkuar mirëkuptim mirëpo sipas tij ata po punojnë në ndërtimin e infrastrukturës për qytetin ku përfshihet edhe trajtimi i ujërave të zeza dhe trajtimi i ujërave atmosferike.

Ai ka thënë se projektet të cilat janë të buxhetuara do të zhvillohen duke përmendur edhe ndërtimin e autostradës Gjilan-Prishtinë dhe ndërtimin e rrugës së Kumanovës si dy projekte më të mëdha.

“Përfundimi i projekteve merr kohë por jam i bindur që kjo administratë do të mbahet mend që ka arrit me i zgjidh problemet kryesore të Gjilanit. Kërkesat urbane nuk do të ndalen asnjëherë mirëpo po bëjmë gati bazën kryesore që është infrastruktura sepse pa këtë nuk mund të ketë investime. Pa largimin e vadave dhe pa largimin e lloçit dhe përforcimin e sistemit të ujësjellësit nuk do të kemi investime nga bashkatdhetarët tanë e leje të mendojmë për investime tjera”, ka thënë ai.