Arbëri

Komuna e Podujevës akuzohet se i keqpërdori ndihmat gjatë pandemisë

Akuza të shumta i janë adresuar komunarëve të Podujevës për dhënien e ndihmave gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Zyrtarët opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje e Partisë Demokratike në mbledhjen e Kuvendit Komunal të mbajtur të premten në sallën e teatrit “Avdush Hasani”, kanë thënë se ndihmat janë dhënë duke i shikuar librezat partiake dhe jo ata që kanë nevojë për to.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Vendenis Lahu, ka theksuar se ka pasur edhe mungesë të një plani për këtë proces.

“Mungesa e një plani konkret të veprimit të prezantuar para Kuvendit, votat e të cilit kërkoheshin për të mundësuar të ndihmohen qytetarët e komunës sonë, doli të ketë qenë konkretisht plani i keqpërdorimit të kësaj pakoje për qëllime politike e elektorale, por edhe për të shpërblyer operatorë ekonomikë të afërt (me LDK-në v.j.)”, është shprehur Vendenis Lahu, raporton KOHA.

Sipas tij, shumë produkte të përfshira në pako, në tregun me pakicë mund të gjenden me çmime më të favorshme sesa çmimet me të cilat janë blerë.

“Disa qytetarë kanë treguar se pakot nuk i kanë marrë të plota, aty kanë munguar disa produkte të cilat është dashur të jenë. Prandaj, rreth përzgjedhjes së kompanisë për furnizim kam një pyetje: Sa kompani janë ftuar të ofertojnë apo e keni zgjedhur me preferencë tuaj operatorin ‘Beni-Dona’? Nëse keni ftuar më shumë se një operator, a mund të na thoni cilët janë ata dhe të na ofroni të dhëna në letër?”, ka pyetur shefi i GK të LVV-së.

Edhe pse kontrata me operatorin është bërë me procedurë të negocimit, këshilltari Lahu thotë se komuna është votuar për 20 ditë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Pra, jeni vonuar që t’u gjendeni afër qytetarëve me kohë dhe ky s’është dështim i vogël. Dhe jeni duke vazhduar të vonoheni. Informatat e ofruara janë pothuajse inekzistente. Nuk ka listë të përfitueseve të deritashëm. Nuk keni dhënë as minimumin e kritereve mbi bazën e të cilave janë shpërndarë pakot. Shumë familje në asistencë sociale nuk janë ndihmuar”, ka deklaruar Vendenis Lahu.

Sipas tij, partia në pushtet ka bërë fushatë pa ndalë me këto pako dhe se në mënyrë arbitrare janë përjashtuar këshilltarët komunalë opozitarë të cilët kanë shprehur dëshirë të ndihmojnë në shpërndarjen e pakove.

“Në vend të tyre u është kërkuar ndihmë vetëm asamblistëve të pozitës dhe autoriteteve ilegale siç janë kryetarët e fshatrave të cilët jane zgjedhur në mënyrë joligjore, por gjithsesi me librezë partiake. Pra është tentuar të paraqitet në terren subjekti juaj si parti-shtet e cila kujdeset për qytetarët thuajse po e bën këtë me paratë e veta. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë komunë tjetër. Pra keni dështuar të jeni të paanshëm dhe t’i trajtoni njëjtë të gjithë qytetarët në nevojë në këtë kohë”, është shprehur shefi i GK të VV-së.

Edhe këshilltari nga radhët e PDK-së, Pajtim Hodolli ka pasur vërejtje për mosofrimin e listës së përfituesve e kriterave.

“Unë, duke e njohur qeverisjen lokale nga e kaluara, në mbledhjen e kaluar pata kërkuar që të formohet një komision i përbërë nga të gjitha partit politike, me çka nuk mora mbështetjen e LDK-së. Vlen t’i përmend vetëm dy raste nga fshati që vij unë e(Llapashticë v.j.) të cilët i njoh personalisht: Një familje me 6 anëtarëshe, ndër ta edhe fëmijë të vegjël, janë anashkaluar në ndihma vetëm pse janë votues të PDK-së. Një rast tjetër edhe më i dhimbshëm, një familje me 8 anëtarëshe, ndër ta 4 fëmijë nën moshën 10 vjeçare, vetëm pse kanë kaluar nga LDK në VV u është mohuar e drejta e pakove ushqimore”, ka thksuar Pajtim Hodolli.

“Këtë ma kanë kërkuar ata vetë për ta përmendur në kuvend. Shtrohet pyetja, a i kemi nda ato mjete për qytetarë në nevojë, apo për elektorat të ndonjë partie?! Në bazë të çfarë kriteri është bërë përzgjedhja e përfituesve të këtyre ndihmave? Kush ka vendosur që një familje ka nevojë të ndihmohet? A ka të dhëna se sa herë është ndihmuar një familje nga komuna dhe shoqatat e ndryshme humanitare deri me tani?”, ka pyetur këshilltari i PDK-së.

Ai ka pasur vërejtje edhe pse nuk ka pasur koordinim me Bashkësinë Islame të Kosovës për të koordinuar ndihmat në terren. Hodolli ka pyetur edhe për procedurat që i ka zhvilluar komuna për blerjen e këtyre pakove, për vlerën e tyre, sa familje momentalisht kanë nevojë për ndihma, etj.

Ndërsa, ish-shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, ka pasur vërejtje për operatorin ekonomik që e ka përzgjedh komuna për blerjen e këtyre pakove ushqimore e higjienike.

“Unë më shumë jam i shqetësuar për procedurën e prokurimit. Këto procedura kanë zgjat për 20 ditë, edhe me i ardh rendi Ragip Mustafës një milioneri me fitua tenderin për pako ushqimore i cili e ka përkrah fushatën e juaj të LDK-së. Unë me pas ditë që ky e fiton tenderin kurrë se kisha votu këtë shumë prej 125,000 €, për besë e kisha shitur krejt pasurinë e nuk ia kisha dhënë kurrë Ragip Mustafës. Këtë çështjen e negocimit e keni goxha të sofistikuar siç e kemi parë edhe në atë videon e famshme të menaxherit të prokurimit, Rasimit, po jo atij cirkuzit, po këtij cirkuzit të Podujevës i cili kurdisë tenderë”, ka thënë Fetahu.

Në anën tjetër, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi, ka bërë të ditur se Komuna e Podujevës nga buxheti i saj ka ndarë 135,000 euro, me të cilat janë ndihmuar 2,280 familje me pako ushqimore, kurse nga donatorë të ndryshëm janë ndihmuar edhe mbi 2,000 familje me pako ushqimore dhe miell.

“Kanë mbetur edhe 280 pako për të cilat do të kompletohet lista. Nëse dikush është përjashtuar, të na i jap emrat dhe ne do t’iu dalim në ndihmë. Nëse janë 2 familje që kanë kërkuar ndihmë dhe janë kthyer negativisht, unë personalisht kam me hetua këtë rast. Nëse dikush është larguar për shkak të përcaktimit partiak, unë jap përgjegjësi, vetëm nëse ka marrë njëherë. Komisioni komunal ka qenë apolitik nga zyrtarë të komunës” është shprehur Thaçi.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se personalisht nuk ka marrë pjesë në dhënien e këtyre ndihmave.