Arbëri

MKRS-ja premton investime të shumta në Podujevë

Descriptive Text

Ministrja në detyrë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka premtuar investime të mëdha në infrastrukturën sportive në Podujevë.

Në një takim me ushtruesin e dytrës së kryetarit të komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, Dumoshi, është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për mbështetjen financiare të projektit “Stadiumi i Qytetit në Podujevë”, që do të implementohet këtë vit.

MKRS-ja do të ndajë 250 mijë euro për këtë investim. Në vitin 2021, investimet në stadiumin e qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti” do të përfundojnë dhe do të investohen edhe 300 mijë euro tjera, dhe ky stadium do të jetë i kategorisë së dytë sipas kritereve të UEFA-s.

Në takimin në Podujevë, Dumoshi e Rudari folën edhe për projekte të përbashkëta të MRKS-së me Komunën. Konrektisht është biseduar për investimin që po bën MKRS në ndërtimin e palestrës në vlerë 2.3 milionë euro, e cila po ndërtohet sipas kritereve të Federatës Botërore të Basketbollit. Një projekt tjetër që do të fillojë së shpejti, është ai i qendrës rinore në këtë qytet, në vlerë 55 mijë euro.

“Investimet që po i bën ministria janë projekte të cilat do të krijojnë mundësi dhe hapësira të nevojshme për qytetarët, dhe unë si ministre ndjehem shumë e lumtur që përkrahja institucionale po ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kushteve për banorët e Podujevës me rrethinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Rudari derisa e ka falënderuar ministren i ka vlerësuar të mirëseardhura këto investime në Podujevë.

“Janë të mirëseardhura dhe shumë të dobishme investimet që po realizohen nga MKRS-ja në qytetin tonë”, u shpreh Rudari.

Gjatë qëndrimit të saj në Podujevë, ministrja vizitoi edhe stadiumin e qytetit, ku nga afër përcolli seancën stërvitore të KF “Llapit” dhe bashkëbisedoi me drejtuesit e klubit dhe futbollistët.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja u ndodhet pranë dhe i përkrah të gjithë sportistët pa përjashtim në bazë të mundësive dhe kapaciteteve buxhetore që ministria ka, duke bërë investime të shumta kapitale por edhe në përkrahje të drejtpërdrejtë në ngritje të cilësisë në sport dhe në nxjerrjen e talenteve të reja.