Arbëri

Komuna e Podujevës kërkon nga qytetarët t’i respektojnë rekomandimet kundër COVID-19

Pas infektimit të dy personave tjerë me COVID-19 nga Komuna e Podujevës, sot Shtabi emergjent ka mbajtur takimin e radhës.

Aty u është bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimit për parandalimin e kësaj pandemie. Në njoftimin e Komunës së Podujevës thuhet se dy personat që dolën pozitiv të hënën, njëri është me vendbanim në Podujevë dhe tjetri në fshatin Llapashticë.

“Lidhur me këto dy raste janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre, të familjeve të tyre, me ç’rast janë bërë vizitat nga ekipi mjekësor dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive. Gjatë takimit u tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për aplikimin e masave mbrojtëse dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Sipas të njëjtit, komandanti i Stacionit Policor, Bekim Zogiani, ka ngritur shqetësim për rastin e një ceremonie mortore, ku është konstatuar se përveç familjarëve në varrim kanë marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm personash të tjerë.

“Shtabi Emergjent apelon te qytetarët që të respektohen vendimet dhe rekomandimet e bëra edhe më herët dhe në raste të tilla varrimet të bëhen vetëm nga rrethi i ngushtë familjar me qëllim të ruajtjes së shëndetit, si dhe të mos organizohen të pame. Gjithashtu kërkohet nga qytetarët që, pavarësisht se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, të shmangin shkuarjen në iftar dhe vizitat te të afërmit”, ka thënë ai.

Zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se nga e mërkura, 29 prill, fillon shpërndarja e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, të siguruara nga buxheti i Komunës së Podujevës.