Kosovë

Pas rasteve të reja, Rahoveci shton masat ndaj koronavirusit

Pas rasteve të reja, Rahoveci shton masat ndaj koronavirusit
Foto: Smajl Latifi / Facebook
01:22

Pas rasteve të reja, Rahoveci shton masat ndaj koronavirusit

Pas konfirmit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës se në Komunën e Rahovecit janë shënuar 14 raste të reja (13 raste në qytet dhe një në fshatin Apterushë) me Covid-19, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka mbajtur takim me Shtabin e Posaçëm Emergjent.

Latifi, po ashtu, ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar në lidhje me hapat e mëtutjeshëm për parandalimin e përhapjes së Covid-19, transmeton KOHA.

Nga takimi i mbajtur, u shpalosën këto rekomandime, sipas tij:

* Të shtohet aktiviteti i Policisë së Kosovës, Stacionit Policor në Rahovec në të gjitha pikat e kontrollit;

* Të vetizolohen të gjithë rastet e konfirmuara pozitive, po ashtu të bëhet edhe gjurmimi i rasteve të kontaktit të tyre;

* Të gjitha bizneset që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në komunën e Rahovecit, me theks të veçantë, marketet dhe furrat, duhet të jenë të pajisur me masa mbrojtëse në të kundërtën do të gjobiten dhe dënohen sipas legjislacioneve në fuqi;

*Çdo veprim i papërgjegjshëm si grumbullimi i dy apo më shumë personave do të dënohet.

“Mos keni frikë sepse situatën e kemi nën kontroll, nuk ka vend për panik por apeloj që të vetëpërmbaheni”, ka shkruar ai.

“Kujdes dhe vetëm kujdes. Mos dil nga shtëpia, mos ia dërgo e as mos ia merr kërkujt COVID 19. Nëse qëndroni në shtëpi, gjasat që të infektoheni janë zero”, përfundon njoftimi i kryetarit.

23:07

14 raste pozitive me koronavirus në Rahovec

14 raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Rahovec të shtunën, ka konfirmuar kryetari i kësaj komune Smajl Latifi.

Ai ka bërë të ditur se nga 27 mostrat e marra sot në këtë komunë, të gjitha raste kontakti të dy pacienteve të infektuara me Covid-19, 14 kanë rezultuar pozitive.

Përmes një shkrimi në Facebook, Latifi ka kërkuar disiplinë nga qytetarët e Rahovecit.

“Pra, nga ju kërkohet disiplinë dhe kujdes për të fituar luftën ndaj infeksionit COVID-19. Nuk ka vend për panik, por që duhet të jemi të kujdesshëm e të qëndrojmë në shtëpi në menyrë që të tejkalojmë me sukses këtë situatë, ju lutem shmangeni daljet pa nevojë në grupe dhe ndaloni vizitat te familjarët. Ne situatën e kemi nën kontroll, por kësaj radhe na nevojitet edhe ndihma juaj që ta tejkalojmë bashkë edhe këtë sfidë”, ka shkruar ai.

Në total, deri tash në Rahovec janë konfirmuar 17 raste me koronavirus. Dy rastet që ishin konfirmuar të premten, ishin infermiere, që punonin në Prizren.