Arbëri

Organizata “YAHR” propozon që Kuvendi Komunal i Lipjanit të punojë “online”

Organizata joqeveritare “YAHR”, pas monitorimit të zhvillimeve të fundit në Komunën e Lipjanit, ka organizuar një debat me përfaqësues të subjekteve politike nëpërmjet një platforme elektronike “online”.

Ky debat kishte për qëllim për ta rifunksionalizuar punën e Kuvendit komunal të Lipjanit. Kjo OJQ ka bërë me dije se edhe në ditët në vazhdim do ta monitorojnë situatën e krijuar në Komunën e Lipjanit nga pandemia Covid-19, andaj kanë propozuar në këtë takim që sa ma shpejt të fillohet krijimi i platformës “online”. ku do të mund të rifunksionalizohet puna e Kuvendit komunal të Lipjanit, shkruan KOHA.

Kjo OJQ ka nxjerrë disa rekomandime dhe propozime, në mënyrë që kuvendtarëve t’u mundësohet vazhdimi i punës në mënyrë “online”, me qëllim që një varg procesesh komunale të mos zvarriten. Po ashtu, ka rekomanduar komunën që t’i respektojë të gjitha masat që parashihen nga IKSHPK-ja.

Bekim Krasniqi, Drejtor ekzekutiv i organizatës “YAHR”, ka thënë se një formë e funksionalizimit “online” të punës së kuvendit komunal të Lipjanit do të mund t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë edhe ekzekutivit të komunës. “Zhvillimi i punës së Kuvendit Komunal nëpërmjet një platforme “online” do të mund të krijonte lehtësira për të vepruar në situatën në të cilën gjendet Komuna e Lipjanit”, ka thënë Krasniqi.

Lulzim Rrustemi, shef i grupit të kuvendarëve në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, ka thënë se Lipjani ka mundësi edhe të organizimit fizik të mbledhjes së kuvendit. “Unë kisha pasur një propozim, por nuk e di në aspektin teknik a mund të realizohet në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani”, besoj që ka një hapësirë mjaft të mëdha për të ruajtur distancën ndërmjet kuvendarëve që jemi 31 kuvendarë. Stafi i kuvendit, shërbimi i kuvendit, pastaj pjesa e ekzekutivit - mendoj që ka një hapësirë të mjaftueshme nëse teknikisht mund të realizohet”, ka thënë Rrustremi. Sipas tij, edhe komitetet obligative duhet të takohen, e sidomos Komuniteti për Politik dhe Financa dhe Komuniteti për Komunitete.

“Këto komitete duhet të mbajnë mbledhjet e rregullta dhe të njihen me përafërsisht me gjendjen në terren dhe mund të marrim vendime, andaj përmes komuniteteve mund të adresohen shumë çështje të ndryshme. Gjithashtu, do të duhej të merrej vendim për lirimin e bizneseve nga taksat si dhe firmat të cilat nuk punojnë gjatë kësaj kohe, të lirohen prej tatimit në pronë”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq, Shkelzen Bislimi, kuvendar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në javën e kaluar ka bërë dy propozime te kryesuesi i KK-së. “Njëri propozim ka qenë për lokalet në shesh të cilat po i shfrytëzojnë tarracat, që tash prej marsit janë futur në obligime për qira ndaj komunës, andaj ato duhet të lirohen nga këto taksa, për shkak të pandemisë. Po ashtu, kam kërkuar që të bëhet edhe një pako për t’i liruar nga taksat edhe disa biznese të tjera të cilat nuk janë duke funksionuar gjatë kësaj periudhe kohore, andaj këto propozime i kam bërë edhe te shtabi emergjent”, ka thënë Bislimi.

Nga ana tjetër, Diamant Bytyqi, zëdhënës i Komunës së Lipjanit, ka thënë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u përballur me pandeminë. “Janë bërë dezinfektimet në institucione publike, në institucione shkollore dhe parashkollore, është bërë dezinfektimi edhe i objekteve fetare si xhamia kishat dhe objektet e tjera fetare përcjellëse dhe dua t’ju njoftoj se në shëndetësi dhe në institucionet e komunës dhe në qendrën për Punë Sociale janë vendosur në hyrjet e tyre dezinfektues dhe masa të tjera që ka rekomanduar ministria e Shëndetësisë dhe Instituti”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, shtabi emergjent është tërë kohën në koordinim me kryetarët e fshatrave, të cilët i njohin banorët e fshatrave ku jetojnë. Sipas tij, po ashtu shtabi emergjent dhe nënkryetari i komunës, Fauz Xhemajli, dhe Drejtori i financave, Latif Ramadani, e kanë përpiluar një listë të rasteve që kanë nevojë për ndihma për këto familje, të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar, që komuna t’u dalë në ndihmë me pakon e ndihmave. “Unë i ftoj se nëse janë të interesuar shefat e grupeve parlamentare të jenë pjesë e komisionit, janë të mirëseardhur ”, ka thënë Bytyqi.