Kosovë

Shtyhet seanca e Kuvendit të Prizrenit që ishte caktuar në datën e shënimit të Ditës së Kushtetutës

Shtyhet seanca e Kuvendit të Prizrenit që ishte caktuar në datën e shënimit të Ditës së Kushtetutës

Komuna e Prizrenit të martën ka njoftuar se mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës, e thirrur nga kryesuesi i KK-së për datën 9 prill, shtyhet për një ditë. Sipas njoftimit shtyrja ka ndodhur për arsye se në datën e sipërpërmendur festohet Dita e Kushtetutës së Kosovës.

“Për shkak të festës zyrtare të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës që shënohet të enjten më 9 prill, mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës e thirrur po në këtë datë është shtyrë për të premten më 10 prill”, thuhet në njoftim. Aty theksohet se mbledhja do të mbahet në ora 10:00 në Shtëpinë e Kulturës "Xhemajli Berisha" dhe se në rend të ditës është informimi i kuvendarëve rreth situatës së pandemisë COVID-19 dhe veprimet e ndërmarra nga Komuna e Prizrenit; si dhe shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga të hyrat vetjake të vitit 2018 dhe 2019 në vitin 2020.