Arbëri

Sejdiu: Klina po respekton masat, jemi të furnizuar mirë

Komuna e Klinës e mirëpret vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës, që kjo komunë të qëndrojnë në karantinë deri me 6 prill, në mënyrë që të mos shënojë raste të reja me koronavirus.

Kështu bëri të ditur drejtori i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në komunën e Klinës, Hekuran Sejdiu, sipas të cilit nuk duhet të konsiderohet si problem heqja e karantinës, pasi që ajo mbron në mospërhapjen e mëtejme të virusit korona.

Ai për KosovaPress, deklaroi se pjesa e karantinës nuk duhet të merret me siklet dhe të ketë veprime të ngutshme për heqjen e saj.

Sipas tij, komunat të cilat janë të vendosura në karantinë, duhet të angazhohen maksimalisht në luftimin e pandemisë COVID-19.

“Ne po e përcjellim situatën, besoj që është pozitive, por nuk do të thotë qe ne me euforizëm të mendojmë për heqje të karantinës, sepse karantina është diçka për të mirën e shëndetit publik, të mirën e preventivës së kësaj situate, nuk duhet ta marrim me siklet karantinës heqjen apo mos heqjen e saj, duhet të jemi të angazhuar maksimalisht që të bien statistikat, të mos kemi raste dhe shpresojmë që sa më shpejt Klina dhe e gjithë Kosova largohet nga izolimi dhe nga shqetësimi që po na kanoset”, u shpreh Sejdiu.

Sa i përket respektimit të karantinës në këtë komunë, Sejdiu theksoi se qytetarët po i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar, Qeverisë dhe rregullat e karantinës.

“Në komunën e Klinës deri më tani rregullat e karantinës, vendimi i qeverisë, rekomandimi i Institut it kombëtarë, janë duke u respektuar në një mënyrë të kënaqshme, ne po apelojmë çdo ditë që të vazhdoj dhe të jetë e përditshme deri sa kemi nevojë”, u shpreh Sejdiu.

Kur jemi te përkrahja dhe ndihmat që kjo komunë ka pranuar gjatë kësaj situate të krijuar me pandeminë COVID-19, Sejdiu deklaroi se janë të furnizuar me ushqim dhe masa mbrojtëse mjaftueshëm.

Ai për KosovaPress thotë se qytetarët e kësaj komune i ka ndihmuar qeveria, donatorët dhe komuna e Klinës.

“Deri në këtë kohë ne si drejtori për shëndetësi, si QKMF, si Komunë, jemi të furnizuar mirë dhe stafi na ka mbrojtur dhe vazhdon të jetë, pak me ndihmën e qeverisë, pak të donatorëve dhe pak të komunës po ia dalim, shpresojmë që kjo do të jetë e vazhdueshme edhe ne si komunë edhe ndihma e qeverisë do të jetë e vazhdueshme, por gjendja është stabile edhe me ushqim kemi marrëveshje me një restorant që e furnizon stafin mjekësor në mënyrë të përditshme me ushqim, sepse Klina është në karantinë dhe nuk ka mundësi të vetfurnizohet, pra këto aspekte besoj që janë të rregulluara mirë tani më”, u shpreh Sejdiu.

Sejdiu i bën apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm, t’i respektojnë rregullat e IKSHPK-së, për shkak se dy javët e ardhshme, cilësohen si më kritiket dhe më vendimtaret për komunën e Klinës

“Bëj apel në mënyrë të vazhdueshme për qytetarët e Klinës, që të vazhdojnë të jenë kaq të kujdesshëm, rekomandimet e Institutit Kombëtar dhe tonat t’i marrin po kaq seriozisht, sidomos të qëndrojnë në shtëpi sepse 2 javët që po hymë janë javë kritike, vendimtare për qytetarët e Klinës duke pasur parasysh zinxhirin epidemiologjikë dhe listën e kontakteve që ne e kemi analizuar si shtab komunal këtu në Klinë”, thotë Sejdiu.

Ndryshe, komuna e Klinës deri më tash ka vetëm një rast të diagnostifikuar me pandeminë COVID-19.