Opozita në Podujevë me akuza të shumta për gjendjen në arsim

Opozita në Podujevë me akuza të shumta për gjendjen në arsim

Nexhat Tovërlani Nexhat Tovërlani 26 February 2020 16:31

Vërejtje të shumta janë bërë në adresë të Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) nga partitë opozitare në Komunën e Podujevës. Duke iu referuar informatës së paraqitur nga DKA-ja për përfundimin e gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2019/2020, përfaqësues të LVV-së e PDK-së kanë folur për shpërfillje të ligjeve në fuqi, për mungesë të gjërave elementare në shkolla, për ndikime politike e të tjera.

Këshilltarja e VV-së, Lirika Maliqi, ka pasur edhe vërejtje se në këtë informatë nuk figurojnë mungesat e nxënësve, pastaj për stafin e shkollës, sipas saj, nuk dihet nëse ka pasur konkurse, a ka pasur të punësuar apo të pensionuar.

“Apo e keni fshehur kur dihet se të gjitha konkurset në arsim bëhen në baza politike. Meqë jemi te stafi, a jeni në dijeni që ka punëtor teknik i cili punon deri në 12 orë brenda ditës? Thuhet (në informatë v.j.) se janë mbajtur trajnime të ndryshme, pse nuk keni specifikuar çfarë trajnimesh dhe me cilat kritere kanë përfituar? Keni cekur bashkëpunimet me organizata të ndryshme si të arritura të Drejtorisë përkatëse, mirëpo nëse dikujt i atribuohen meritat për këto projekte, atëherë më së paku i atribuohen DKA-së në Podujevë dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë”, është shprehur Lirika Maliqi.

Ajo ka thënë se nxënësit detyrohen t’i fotokopjojnë testet pasi nuk ka printerë nëpër shkolla.

“A jeni në dijeni ju si drejtor që nxënësit në shkolla fillore dhe jo vetëm, edhe pse pagesat janë të ndaluara me ligj, janë të detyruar t’i paguajnë me paratë e veta fotokopjimin e testeve sepse një mundësi të tillë nuk ua ofron shkolla në të cilën vijojnë mësimin. Investimet kapitale nuk i keni orientuar në përmirësimin e inventarit të shkollës, të ambientit dhe të sallave të sportit. Oborret e shkollave u ngjajnë fushave nëpër të cilat kullosin bagëtia”, ka thënë këshilltarja e VV-së.”.

Lirika Maliqi thotë se në bazë të raportit 9-mujor të vitit 2019, investimet kapitale nuk e kalojnë as 10-përqindshin.

“Pra, nga 534,000 janë shpenzuar vetëm 31,127€. Vlen të ceket që nuk ka asnjë informacion për KDSH, kush është zgjedhur? Me çfarë baze dhe çfarë kriteresh? A do të thotë kjo që kemi të bëjmë me preferencë personale të drejtorëve të shkollës? E aq më keq kur dihet që si komunë njihemi me përbërje prej pothuajse 100% të drejtorëve politikë. Nga të gjitha shkollat sa ka komuna jonë, pse nuk e fut si informatë sa psikologë i kemi nëpër shkolla, sa biblioteka i kemi nëpër shkolla, sa laboratorë dhe kabinete të informatikës kemi, sa salla të sportit i kemi?”, ka pyetur Maliqi.

Ndërsa, këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli, ka thënë se rezultatet e sukseseve të nxënësve të paraqitura në informatë, nuk janë reale.

“Edhe ky rezultat i prezantuar para nesh e dimë se nuk vjen nga një vlerësim i drejtë dhe sipas meritës, edhe pse i rritur në vlera përsëri është shumë nivel i ulët për nevojat dhe nivelin që duhet të kemi, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë konkurrentë me komunat e tjera pasi të mbarojnë shkollimin fillor dhe të mesëm”, ka theksuar Hodolli. “Për të folur për nivelin e arsimit dhe parregullsitë në komunën e Podujevës është e lehtë, shembull janë shumë kuadro profesionale të cilët janë diskriminuar dhe nuk janë lejuar të bëhen pjesë e arsimit në Podujevë, e krejt kjo vetëm pse nuk kenë qenë pjesë e partisë që ka vendos për këto punësime”.

Këshilltari nga radhët e PDK-së i ka përmendur edhe ligjet të cilat ka thënë se janë duke u shpërfillur nga Komuna.

“Rezultatet e dobëta në sukses janë pasojë, shkaku është se në DKA Podujevë bënë shumë shkelje ligjore dhe nuk i respekton udhëzimet administrative që janë obligative si shembull:

1. Sipas Udhëzimit Administrativ nr: 32 ̸ 2013 për organizimin e kurrikulës me zgjedhje. Përpos ndarjes së orëve zgjedhore që bëhen me intervenime e për plotësim norme, në shkollat e Podujevës nuk respektohet edhe Neni 10 i këtij UA, i cili parasheh vlerësimin për lëndët zgjedhore me notë numerike, kurse në komunën tonë ky vlerësim vazhdon të bëhet me shkronja, me çka e ka humbur interesimin e nxënësve për këto lëndë, e që kjo ndikon direkt në mësimnxënie te nxënësit”, ka thënë ai.

Pajtim Hodolli ka thënë se sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit nr-20/018 të datës 11.02.2019, është obligative vendosja e kutive të ankesave në secilin objekt shkollor në mënyrë që t’u jepet mundësia për ankesa secilit nxënës apo prind pa u frikësuar se do t’iu hakmerret në notim nxënësve që ankohen.

“Pastaj duke iu referuar UA nr. 33/2007 për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara, është obligative që secili objekt shkollor të posedojë shiritin për qasje me karroca dhe kushte të tjera për fëmijët me nevoja të veçanta, pa të cilat pamundësohet gjithëpërfshirja e nxënësve të cilën gjë e parasheh kurrikula dhe ligjet në fuqi. E për të cilat DKA nuk ka bërë asgjë”.

Këshilltari Hodolli ka thënë se në shumicën e shkollave në Podujevë nuk ka aparate kundër zjarrit, nuk mirëmbahen shkallët emergjente dhe se nxënësit nuk dinë si të reagojnë në raste të fatkeqësive.

Kurse këshilltari i PSD-së, Blerim Maçastena ka thënë se gjendja e disa shkollave në Komunën e Podujevës është shumë e keqe. Ndër to ai ka përmendur shkollën në fshatrat Bellopojë, Pollatë, etj. Vërejtje kanë paraqitur edhe këshilltarë tjerë komunalë.

Drejtori për Arsim në Podujevë, Agim Blakçori, duke prezantuar informatën e përgatitur ka thënë se në vitin shkollor 2019/2020 në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë janë të regjistruar 16.349 nxënës të sistemuar në 786 paralele.

“Bazuar në raportet e dorëzuara nga drejtorët e shkollave mbi suksesin e arritur në periudhën e parë të vitit shkollor 2019-2020, rezulton se suksesi më i lartë është në arsimin fillor, ku nota mesatare është 4.27, pason arsimi i mesëm i ulët me 3.27 dhe në arsimin e mesëm të lartë nota mesatare është 2.65. Nga kjo që u tha më lartë konkludojmë se nota mesatare në nivel komune në periudhën e parë të vitit shkollor 2019/20 është 3.39”, ka theksuar drejtori Blakçori.

Ai ka folur edhe për aktivitetet e planifikuara dhe të realizuara gjatë kësaj periudhe, për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, projektet kapitale, ku ka përmendur ndërtimin e shkollave, shumë renovime, ndërtimin e terreneve sportive, vendosjen e kamerave në disa shkolla, etj. Por, nuk i është përgjigjur secilit këshilltar në vërejtjet e parashtruara. Blakçori ka thënë se është i gatshëm secilit prej tyre t’ia ofrojë të dhënat edhe në zyrë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme