Arbëri

Komuna e Shtimes kërkon themelimin e njësisë së Gjykatës Themelore

Foto: Koha

Institucionet komunale të Shtimes dhe qytetarët e saj po vazhdojnë të përballen me mungesë të njësisë së Gjykatës Themelore, megjithëse kjo qytezë prej vitesh e gëzon të drejtën për një institucion të tillë të drejtësisë ashtu siç ekziston në Kaçanik dhe Shtërpcë.

Komuna e Shtimes prej vitesh ka ofruar bashkëpunim dhe kushte infrastrukturore për themelimin e Gjykatës Themelore, mirëpo deri tashti sipas zyrtarëve komunal të Shtimes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka lëvizur asgjë konkrete rreth kësaj çështje, raporton Koha Ditore.

Në anën tjetër mungesa e gjykatës po paraqet telashe edhe për trajtimin e lëndëve të inspektoratit komunal derisa kjo qytezë të gjitha shërbimet i merr në Gjykatën Themelore në Prishtinë-dega në Ferizaj. Qytetarët e kësaj komune kanë thënë se prej vitit 2012 kanë marrë premtime nga niveli qendror dhe lokal se do të themeloret Gjykata në Shtime, mirëpo një gjë e tillë deri tashti nuk ka ndodhur.

Kryetari i komunës së Shtimes Naim Ismajli, ka thënë se tashmë e kanë dorëzuar kërkesën në Këshillin Gjyqësor të Kosovës pasi që Shtimja e gëzon të drejtën ta ketë njësinë e Gjykatës Themelore nga Ferizaj ashtu siç e ka edhe komuna e Kaçanikut dhe ajo e Shtërpcës. Ai ka kërkuar nga niveli qendror që themelimi i Gjykatës Themelore të bëhej gjatë këtij viti derisa komuna ka ofruar bashkëpunim dhe infrastrukturë për objektin e saj.

“Do të përpiqemi të angazhohemi edhe më tej që nëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka mundësinë për punësimin e personelit, atëherë ne do t’ia sigurojmë hapësirat tona në kuptimin e objekteve derisa të bëhet rregullimi apo ndërtimi i objekteve të tyre. Pra, do të insistoi vazhdimisht që gjatë këtij viti ta realizojmë projektin dhe themelimin e Gjykatës”, ka thënë Ismajli.