Arbëri

“Avonet”-i kritikon kryetarin Aliu për mosrespektim të orarit të punës

Foto: Koha

Komuna e Ferizajt nëpërmjet një shkrese ka kërkuar nga qytetarët e komunës t’i denoncojnë zyrtarët komunal të cilët nuk e respektojnë orarin e punës. Për këtë çështje kryetari i kësaj komune Agim Aliu me një shkresë zyrtare i është drejtuar edhe punonjësve të administratës komunale, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare përfshirë QMF-të, AMF-të, Qendrës për Punë Sociale, Brigadës së Zjarrfikësve dhe institucioneve të tjera në vartësi të komunës.

Në anën tjetër ndaj shkresës së kryetarit Aliu ka reaguar Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” i cili monitoron institucionet publike në këtë komunë. Sipas kësaj OJQ-je, shumica e institucioneve publike tashmë e kanë të vendosur sistemin e kontrollit në mënyrë digjitale për hyrje-dalje të zyrtarëve publik, madje shumica e institucioneve e kanë edhe sistemin e kamerave dhe rojet fizike, andaj sipas kësaj OJQ-je, fillimisht orarin e punës duhet ta respektoi vetë kryetari Agim Aliu.

Në komunikatën e komunës rreth kësaj çështje, midis të tjerash thuhet se nga fillimi i javës së ardhshme do të nis së zbatuari masa shtesë me efekt në disiplinën e punonjësve të Komunës, për të pamundësuar zyrtarët publik në Komunën e Ferizajt që në orar të punës, të dalin e frekuentojnë ambiente jashtë qëllimit zyrtar, në dëm të shërbimeve për qytetarët.

“Ndonëse e kontrolluar vazhdimisht, disiplinës së punonjësve të administratës komunale, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i shtoi edhe një masë të re. Të gjithë zyrtarët komunal dhe të institucioneve në vartësi të Komunës, të cilët nuk respektojnë orarin zyrtar të punës, pa arsye zyrtare, do të ndëshkohen në pagë dhe do t’i shqiptohet masë disiplinore”, thuhet në komunikatën e komunës. Sipas tyre për këtë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu inkurajoi e ftoi qytetarët që të bëjnë denoncimet e tyre përmes shkresës së sotme dërguar gjithë zyrtarëve të Komunës së Ferizajt.

“Komuna e Ferizajt po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore e financiare që për denoncimet e tyre, qytetarët të shpërblehen”, thuhet në komunikatën e komunës.

Ndërkaq në shkresën e kryetarit Aliu, midis të tjerash thuhet se legjislacioni në fuqi e rregullon fushën e shërbimit civil, andaj kjo ka për qëllim rritjen e disiplinës në administratën komunale, rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, ruajtjen e dinjitetit të institucionit, përgjegjshmërinë e punonjësit në institucione publike etj.

“Që nga data 24.02.2020 do të nis së zbatuari kontrolli i hyrje-daljeve të punonjësve të administratës komunale, përmes mbikëqyrjes elektronike dhe direkt të vijueshmërisë në punë. Punonjësit që gjatë orarit të punës gjenden jashtë objektit të komunës, pa arsyeje e dokument zyrtar, që lejon daljen, do të ndëshkohet në pagë dhe masë disiplinore konform disiplinave ligjore në fuqi. Përgjegjës për fshehjen apo moskallëzimin eventual të rasteve do të mbahen edhe drejtorët e drejtorive dhe udhëheqësit e njësive në administratën e komunës”, thuhet në shkresën e kryetari Aliu.

Sipas tij, ky është paralajmërimi i fundit lidhur me këtë çështje, andaj ka inkurajuar të gjithë qytetarët, zyrtarët dhe mbikëqyrësit e punës së komunës së Ferizajt që të denoncojnë rastet e tilla drejtpërdrejt pranë zyrës së Informimit dhe Komunikimit Publik ose në e-mailin zyrtar të komunës së Ferizajt, në mënyrë që mos lejojnë njollosjen e shërbimeve nga zyrtarët të papërgjegjshëm , pjesë e administratës komunale.

Në anën tjetër pas publikimit të kësaj shkrese të premten, ka reaguar rrjeti i OJQ-ve “Avonet” duke sugjeruar kryetarin e komunës Agim Aliu, që ta respektoi orarin e punës.

“Së pari, vetë kryetari i komunës Agim Aliu duhet të jetë më efikas në rritjen e përformancës së shërbyesve civilë dhe të veproi në harmoni me ligjet dhe udhëzimet administrative që e obligojnë çdo shërbyes civil se si të verojnë gjatë orarit të punës. Kryetari i komunës duhet ta njoftoi opinionin publik për vizitat e tij jashtë vendit dhe të prezantoi rezultatin e këtyre vizitave, pastaj cilat janë efektet e vizitave të tij jashtë vendit në interes të komunës dhe qytetarëve. Andaj ai së pari duhet të niset nga vetvetja për ra respektuar orarin e punës”, thuhet midis të tjerash në reagimin e “Avonet”-it.

I kontaktuar nga KD-ja drejtori i kësaj OJQ-je, Kenan Gashi, ka thënë se kryetari i komunës Agim Aliu, duhet të marrë masa por jo të nxjerr shkresa të tilla për zyrtarët komunal sepse sipas tij kjo i bije vetëm “për t’i hedhur hi syve opinionit publik”.

“Ke e kemi analizuar se kryetari Aliu e ka nxjerrë një shkresë të tillë vetëm se kinse po dëshiron t’i kthej në funksion shërbyesit dhe të marrë masa ndaj tyre, mirëpo ne i themi kryetarit Aliu se duhet të veproi në harmoni me ligjet dhe udhëzimet administrative që rregullojnë këtë çështje. Andaj neglizhenca dhe mos qeverisja e mirë e Aliu nuk ka mbetur asgjë veç se të bëj gjëra të tilla”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se një shkresë e tillë ka qenë e panevojshme e kryetarit Aliu derisa ekzistojnë mënyrat tjera për ta mbajtur në kontroll secilin zyrtar publik.

“Komuna e ka sistemin e IT-ës që hyn dhe dalin shërbyesit, pastaj e ka sistemin e kontrollit me kamera dhe me IT, po ashtu e ka sigurimin ne hyrje të objektit, andaj një shkresë e tillë nuk është dashur fare t’i dërgohej shërbyesve civil”, ka thënë Gashi.